2009-10-07 17:25:36

Lutja e Rruzares na çon drejtpërdrejtë te Jezusi.


Rruzarja është lutje drejtuar Zojës së Bekuar, që i ngjet një bisede me Virgjërën Mari. E në sa bisedon kështu me Nënën e Krishtit, ndjen nevojën të lidhesh me vetë Jezusin. Ata që i luten Marisë, e ndjejnë menjëherë se sytë e tyre nuk mund të ndalohen vetëm në fytyrën e Nënës, sepse Nëna lidhet ngushtë me të Birin e vjen në jetën e krishterë për të na lidhur edhe ne me Të. Mendimi i Marisë është përplot me Jezusin.
Për t’i kuptuar dëshirat e ndjenjat e saj më të thella, duhet ta ndjejmë veten pranë Krishtit, ashtu si Ajo, që e adhuroi si Zotin e vet, e admiroi si shëlbuesin e njerëzimit, e deshi jo vetëm si Birin e saj, por sidomos, si Birin e Atit të Amshuar. Jezusin, lindja e të cilit iu kumtua nga Engjëlli, Maria e deshi me dashuri të pakufishme; e bëri të vinte në botë me miratimin e saj plot bindje. Për virtyt të asaj ‘po’ të thënë me gjithë zemër, Krishti zbriti në kraharorin e nënës dhe e pushtoi, për ta vënë në shërbim të Tij. Duke e dhuruar plotësisht vetveten si ‘shërbëtorja e Tënzot’ ajo u gatit për veprën e madhe të mbretërisë mesianike, të kumtuar nga Engjëlli. Maria e priti Jezusin si pritet miku i dëshiruar kah mot: ai e pushtoi amësinë e saj, për ta pasur krah në ndërtimin e mbretërisë qiellore.
Kështu gjithë jeta e Marisë mori një drejtim të ri; Krishti e përfshiu në ‘mister’. E ky mister nuk është vetëm një e vërtetë, që të mahnit e që duhet zbuluar, sipas kuptimit që vetë Jezusi i jep kësaj fjale, duke pohuar se ‘Apostujt e morën si dhuratë Misterin e mbretërisë’ (Mk. 4,11). Ky mister lidhet me planin hyjnor të shëlbimit, i cili përmbushet me ndërtimin mbretërisë së Hyjit mbi tokë. Në se ky mister iu dhurua Apostujve për të përforcuar fenë e tyre e për të kryer misionin e tyre të predikimit, së pari duhej t’i jepej Marisë, sepse ishte ajo bashkëpunëtorja e parë në veprën e shëlbimit, të kryer nga Krishti. Maria hyri plotësisht në zemër të misterit, e ndriçuar nga drita e pambaruar e planit hyjnor, e ia kushtoi të gjitha forcat përmbushjes së këtij plani.
Rruzarja e ndriçon fort lidhjen e Virgjërës Nënë me misterin e Krishtit, përmes meditimit të larmisë së mistereve. Kjo larmi na krijon mundësinë t’i kundrojmë më konkretisht ngjarjet që jetoi Maria e t’i provojmë ndjenjat që provoi Nëna e Zotit në bashkimin e saj me Krishtin e në ndihmesën e veçantë që dha për veprën e shëlbimit.
Zakonisht misteret ndahen në misteret e gazmendit, të mundimit e të lumturisë. Kësaj ndarjeje tradicionale, Papa Gjon Pali II propozoi t’i shtohen edhe ‘misteret e dritës, që janë: ‘Pagëzimi i Jezusit në Jordan, kur Ati nga qielli thotë: "Ja, biri im, të cilin e kam për zemër", e ky është zbulimi i misionit të Birit të Hyjit; pastaj mrekullia e Jezusit në Dasmën e Kanës, shenjë e shndërrimit dhe e shenjtërimit të të gjithë realitetit të krijuar e sidomos e njeriut të shndërruar nga Biri i Hyjit; misteri i tretë është kumtimi i Mbretërisë së Hyjit me shëmbëlltyra e shenja shëlbuese. I katërti - shndërrimi i Jezusit mbi Malin Tabor dhe së fundi, i pesti, themelimi i Eukaristisë, si dhanti Pashkësh e si Sakrament që përmbledh në vetvete të gjitha sakramentet e shëlbimit, të cilat Krishti ia dhuroi Kishës për shpëtimin e njerëzimit.
Kjo larmi nuk mund të na bëjë të harrojmë se të gjitha misteret janë shprehje e një misteri të vetëm; misterit të mbretërisë së Hyjit’, sipas fjalëve të vetë Jezusit, që kujtohen në Ungjillin e Markut. Rruzarja është ftesë për të hyrë më thellë, së bashku me Marinë, në këtë mister, që është misteri i Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.