Ekspozita “Pushteti dhe Hiri. Shenjtorët Pajtorë të Evropës”
(07.10.2009 RV)U përurua sot në Pallatin Venezia, në Romë ekspozita “Pushteti
dhe Hiri. Shenjtorët Pajtorë të Evropës”, në praninë e Sekretarit të Shtetit të
Vatikanit, kardinal Tarçizio Bertone dhe kryeministrit të Italisë, Silvio Berluskoni.
Përmes prizmit të shenjtërisë, iniciativa përshkon marrëdhëniet e ndërlikuara
ndërmjet pushtetit tokësor dhe autoritetit shpirtëror, një raport i frytshëm, pavarësisht
nga konfliktet apo mosmarrëveshjet, që kanë shënuar thellë historinë dymijëvjeçare
të Perëndimit të krishterë. Në afreskun e madh hagjiografik të Evropës, shtatëdhjetë
shenjtorë e shenjtëresha janë Pajtorët e popujve të marrë veç e veç, ndërsa mbrojtja
e krejt kontinentit u është besuar gjashtë modeleve të rralla shpirtërore: Shën Benediktit
nga Norçia, shenjtorëve Cirili e Metodi nga Selaniku, Shën Brigjidës së Suedisë, Shën
Katerinës nga Siena, Shën Terezës Benedikta e Kryqit. Popujt evropianë i qëndrojnë
besnikë devocionit për këta Pajtorë, që i kanë shoqëruar në momente të vështira e
të bukura të historisë dhe kanë dhënë një kontribut themelor për formimin e identitetit
shpirtëror, moral e kulturor të kombeve e të Evropës në tërësi. Ekspozita është e
ndarë në 10 sektorë, që tregojnë etapat kryesore të historisë evropiane, që nga martirët
e parë të Perandorisë Romake e deri në shekullin XX.