Sot me 6 tetor kalendari Kishtar feston shën Brunon, meshtar e murg e themelues
i Urdhrit të Çertozinëve
(06.10.2009 RV) Bruno lindi në Këln rreth viteve 1030-1035. Ndoqi shkollën
e Katedrales së Reimsit, që i përgatiste të rinjtë për rrugën kishtare. Në vitin 1056
u caktua profesor i filozofisë dhe i teologjisë, duke fituar nderimin e simpatinë
e nxënësve të tij. Ndërmjet tyre ishte edhe Odoni i Lagerisë, papa i ardhshëm Urbani
II.
Në vitin 1075 u emërua kancelar i kryeipeshkvit simoniak të Reimsit, Manase.
Me që ishte njeri i drejtë, shumë shpejt ndërmjet tij e ipeshkvit lindën konflikte,
që përfunduan vetëm më 1080, kur Gregori VII urdhëroi të zgjidhej një ipeshkëv i ri
për Reimsin.
I pakënaqur nga bota, në vitin 1082 nisi jetën vetmitare pranë
Molesmes, ndërsa dy vjet më pas, së bashku me gjashtë shokë, u vendos në dioqezën
e Grenobles, ku u mirëprit nga ipeshkvi Ugo dhe nga abati Seguino i Sheî-zë- Dië.
Me ndihmën e ipeshkvit ndërtoi, në trojet malore të Shartrëzë, shtatë baraka, ku murgjërit
jetonin në heshtje, në lutje e në punë. Vetmia e plotë ndërpritej vetëm kur mblidheshin
së bashku për të thënë një pjesë të Ofices ose për të marrë pjesë në Meshën shenjte
në ditët festive. Së bashku me shokët e tij, shenjti iu kushtua punës së dorës e,
posaçërisht, veprimtarisë së kopjimit të dorëshkrimeve.Lindi kështu Urdhëri Çertozin.
Në vitin 1088 Urbani II e thirri në Romë si këshilltar, por me që aty gjeti
një mjedis të korruptuar, në vitin 1092, pasi siguroi njohjen dhe autonominë për kuvendin
e themeluar pranë Grenobles, vendosi të largohej në La Torre, në mes pyjeve kalabreze.
Realizoi përsëri idealin e tij murgar duke kërkuar Zotin në heshtje e në vetmi,
në gjurmët e etërve të shkretëtirës. Ndërtoi rishtas një eremitazh sipas stilit të
atij të Shartrëzës e edhe këtu rreth tij u mblodhën shumë shokë.
Vdiq në Serra
Shën Bruno më 6 tetor 1101, i rrethuar nga një famë e madhe shenjtërie. Papa Leoni
X, në vitin 1514, miratoi kultin e tij; Gregori XV më 1622 e radhiti ndërmjet shenjtorëve
të Shkurtores e në Mesharin Romak, ndërsa dy vite më parë, Papa Benedikti XVI, duke
bashkëkremtuar Meshën shenjte me anëtarët e Komisionit Teologjik Ndërkombëtar në Kapelën
e Nënës së Shëlbuesit në Vatikan, e kujtoi kështu Shën Brunon, 905 vjet pas vdekjes:
“Misioni i Shën Brunos, i shenjtit që u festua sot, duket qartë në lutjen, që na
shpjegon se misioni i tij ishte: heshtje e kundrim i Fjalës së Zotit. Por heshtja
e kundrimi kanë një qëllim, shërbejnë për të ruajtur, në përhumbjen e jetës së përditshme,
bashkimin e përhershëm me Zotin. Ky është qëllimi: që në shpirtin tonë bashkimi me
Zotin të jetë gjithnjë i pranishëm e të na shndërrojë plotësisht”.