2009-10-06 17:13:20

Shqipëria dhe Kosova nënshkruan sot gjashtë marrëveshje të karakterit politik dhe ekonomik


(06.10.2009 RV)Shqipëria dhe Kosova nënshkruan sot në mesditë gjashtë marrëveshje të rëndësishme, të karakterit politik dhe ekonomik që do të ndikojnë në thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjashtë marrëveshjet mes dy vendeve u nënshkruan në selinë e qeverisë së Kosovës, në Prishtinë, në kuadër të vizitës zyrtare dy ditore që Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha nisi sot në këtë vend, me ftesë të homologut të tij, Hashim Thaçi. Ato u nënshkruan pas takimit që dy Kryeministrat zhvilluan pa praninë e gazetarëve.
Marrëveshja e lëvizjes së ndërsjellët të shtetasve dhe protokolli për qarkullimin në zonat kufitare, u nënshkruan nga Kryeministri i Shqipërisë, Berisha, dhe ai i Kosovës, Thaçi, ndërsa marrëveshjet e tjera u nënshkruan nga anëtarë të dy delegacioneve, Shqipëri- Kosovë.
Zbatimi i tyre pritet të thellojë jo vetëm bashkëpunimin mes dy vendeve, por do të lehtësojë për më shumë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe anasjelltas.
Vizita e sotme e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, në Prishtinë, e para pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, është konsideruar si një vizitë historike dhe e një rëndësie të veçantë dhe shihet si një mundësi e re për të shënuar progres në bashkëpunimin ndërshtetëror Shqipëri- Kosovë.

Më poshtë vijojnë marrëveshjet dypalëshe të nënshkruara sot mes Shqipërisë dhe Kosovës:

- Marrëveshja për Lëvizjen e ndërsjelltë të shtetasve.
- Protokolli për qarkullimin në zonat kufitare.
- Marrëveshja në fushën e doganave.
- Marrëveshja e bashkëpunimit policor ndërkufitar.
- Marrëveshja e ripranimit të personave me qëndrim të paligjshëm.
- Marrëveshja e bashkëpunimit të Administratave lokale.







All the contents on this site are copyrighted ©.