2009-10-05 18:05:57

Papa përuron punimet e Sinodit për Afrikën


(05.10.2009 RV)Dashuria që Zoti na dhuron falas, të cilën çdo i krishterë e ka për detyrë ta kumtojë, i “hap e tejkalon kufijtë e fiseve, etnive e feve”. Me këtë urim, Benedikti XVI e përfundoi sot paradite meditimin e tij në hyrje të Sesionit të përgjithshëm të Sinodit të Ipeshkvijve për Afrikën. Papa i ftoi prelatët afrikanë të marrin pjesë në punimet e Sinodit me zemër të hapur ndaj Shpirtit të Zotit, pa të cilin - pohoi Ati i Shenjtë - çdo analizë vetëm njerëzore e realitetit është e “pamjaftueshme”.
Para se etërit sinodalë të fillonin diskutimet mbi situatën në kontinentin e zi, sot paradite Benedikti XVI përvijoi kufijtë e sidomos frymën me të cilën duhet të paraqiten prej ditës së sotme e më tutje:
Kemi filluar tani Sinodin tonë, duke iu lutur Shpirtin Shenjt,të vetëdijshëm se ne nuk mund të bëjmë aq sa lypet për Kishën e për botën në këtë moment. Vetëm në forcën e Shpirtit Shenjt Zot mund të gjejmë atë çka është e drejtë, dhe asaj t’i përmbahemi e atë ta ndjekim”.
Është pra Shpirti hyjnor ai, që na mundëson t’i “njohim” realitetet njerëzore “në dritën e Zotit”. Ndërsa vlerësimet mbi kontekstin shoqëror afrikan duke ndjekur binarë thjesht sociologjikë janë të kufizuara, pavarësisht se kompetente. Këto janë analiza “horizontale”, tha Papa, të cilave u mungon lidhja me përmasën “vertikale”:
Nëse marrëdhënia e parë, ajo themelore, nuk është e drejtë, të gjitha marrëdhëniet e tjera nuk funksionojnë që nga baza. Prandaj, të gjitha analizat tona mbi botën janë të pamjaftueshme, nëse botën nuk e konsiderojmë në dritën e Zotit, nëse nuk zbulojmë se në themel të padrejtësive, të korrupsionit është një zemër e padrejtë, qëndron mbyllja ndaj Zotit, e pra një falsifikim i marrëdhënies themelore mbi të cilën janë të bazuara të gjitha marrëdhëniet e tjera”.
Në meditimin e tij të gjatë, Papa u frymëzua nga Himni i lutjes së Orës së Tretë të ditës, lutje që hapi sesionin e paradites të Sinodit. Një himn që, vërejti Papa, “kërkon dhe i lutet Zotit për tri dhurata thelbësore të Shpirtit Shenjt”. Dhurata e parë, shpjegoi, është “rrëfimi”, që duhet kuptuar si njohje e vogëlsisë sonë njerëzore para Zotit - prej së cilës rrjedhin, insistoi Papa - “të gjitha veset që shkatërrojnë rrjetin shoqëror e paqen në botë”. Rrëfimi është mirënjohje e falënderim ndaj Zotit për dhantitë e tij dhe është impenjim për të dëshmuar përdëllimin Hyjnor. E këtu, Benedikti XVI u shpreh me fjalë plotë fuqi shpirtërore për të vënë në dukje madhështinë e thjeshtë të Zotit në lidhje me madhështinë e sendeve njerëzore.
Gjërat e shkencës, të teknikës kërkojnë investime të mëdha, janë aventura shpirtërore e materiale, tejet të kushtueshme e të vështira. Mirëpo Zoti dhurohet ‘falas’. Gjërat më të mëdha të jetës - Hyji, dashuria, e vërteta - janë falas e do të thosha se mbi këto duhet të meditojmë më shpesh: mbi këtë të qenët falas të Hyjit; mbi faktin se nuk kemi nevojë për dhurata të mëdha materiale apo edhe intelektuale për të qenë afër Zotit: Zoti është në mua, në zemrën time e në buzët e mia”.
Dhurata e dytë e Shpirtit Shenjt, vijoi Papa, vjen nga e para: njeriu që zbulon intimitetin me hyjnoren duhet pastaj ta dëshmojë me tërë vetveten. Duhet të dëshmojë të vërtetën e dashurisë e të bamirësisë së Zotit, sepse kjo e jo tjetër, ripohoi Benedikti XVI, është thelbi i fesë së krishterë.
“E rëndësishme është se krishterimi nuk është një përmbledhje idesh, një filozofi, një teori, por është një mënyrë të jetuari, është dashuri, është përdëllim. Vetëm kështu bëhemi të krishterë: nëse feja shndërrohet në përdëllim, nëse është dashuri e bamirësi. Hyji ynë nga njëra anë është ‘Logos’ (Fjalë), Arsye e amshuar, por kjo Arsye është edhe Dashuri. Nuk është matematikë e ftohtë, që ndërton gjithësinë: kjo Arsye e amshuar është zjarr, është dashuri. Që në vetveten tonë do të duhej ta realizonim këtë njësim të arsyes e dashurisë, të fesë e të dashurisë”.
Edhe dhurata e tretë është e lidhur ngushtë me të tjerat. Dashuria e Zotit duhet t’i kumtohet njerëzimit, çdo njeriu, që për të krishterin është i afërm e vëlla. Duke u nisur nga shembulli ungjillor i figurës së Samaritanit të mirë, të cilin na e propozon liturgjia e sotme, Benedikti XVI përfundoi meditimin e tij duke vënë në pah mësimet që arrijnë deri tek ne nga kjo shëmbëlltyrë e lashtë e cila i përshtatet mirë, në këtë rast, edhe realitetit afrikan:
Dashuria e bamirësia nuk janë diçka individuale, por universale. Universale e konkrete. Lypet t’i hapim realisht kufijtë ndërmjet fiseve, etnive, feve ndaj universalitetit të dashurisë së Zotit në vendet e jetës sonë, me tërë konkretizimin e nevojshëm. T’i lutemi Zotit që të na i falë dhuratat e Shpirtit Shenjt, që të na falë Rrëshajët e reja, që të na ndihmojë të jemi shërbëtorët e tij në këtë orë të botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.