Sot me 3 tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Kandidën nga Roma, martire
(03.10.2009 RV)Dihet shumë pak për martiren romake, që kujtohet vetëm në një
lapidar të skalitur në kohën e papës Pasquali I. Prej këtij lapidari mësojmë se trupi
i saj, i martirizuar në Romë, u mbart nga katakombet e Prishilës dhe u varros në Kishën
e Shën Presedes në Eskuilin. Më pas reliket u mbartën përsëri dhe u vendosën në Kishën
romake të Zojës së Mrekullive. Shtatorja prej dylli, brenda së cilës ruhen këto relike,
e veshur me petka të epokës, e mbrojtur nga një urnë qelqi, u vendos në kapelën e
dytë më të djathtë të elterit të madh, që iu kushtua Martires. Sipas bolandistëve,
siç quhen autorët e jetëshkrimit të martirëve, Kandida dha dëshminë e gjakut për Krishtin
së bashku me Shën Artemin e Shën Paolinën, që kremtohen më 6 qershor.