2009-10-02 16:14:50

Të jesh laik nuk do të thotë ta mënjanosh Kishën: kështu pohon Benedikti XVI në mesazhin drejtuar Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës


(02.10.2009 RV)RealAudioMP3 Të jesh laik nuk do të thotë ta mënjanosh Kishën: kështu pohon Benedikti XVI në mesazhin drejtuar Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës.
“Dallimi i qartë dhe i drejtë ndërmjet Shtetit e Kishës nuk e ndan dhe e përjashton këtë të fundit (Kishën) nga jeta shoqërore e kulturore”. Ky është urimi që Papa i dërgoi presidentit të Këshillit të Konferencave ipeshkvnore të Evropës, kardinalit Peter Erdë, me rastin e Asamblesë plenare që u hap dje pasdite në Paris.
Benedikti XVI, shkruan kardinali Tarçizio Bertone në mesazhin e dërguar në emër të Papës, “u siguron afërsinë e tij shpirtërore e të përzemërt presidentëve të konferencave ipeshkvnore të kontinentit të vjetër”, ndër të cilët është edhe Presidenti i Konferencës ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Rrok Mirdita, i cili deri të dielën do të shqyrtojë bashkë me të tjerët temën e marrëdhënieve ndërmjet Kishës e Shtetit.
Në mesazhin e tij, Papa kujton se “Kisha është besnike ndaj misionit të vet të vërtetë në favor të një shoqërie që duhet t'i shkojë për shtat njeriut, dinjitetit e thirrjes së tij”. E kjo besnikëri “është garanci e një zhvillimi njerëzor të tërësishëm, riparim i çrregullimeve të shumta prej të cilave bota sot vuan”.
Prandaj, vetë Kisha, vijon teksti i mesazhit të Benediktit XVI, “dëshiron që jeta e njerëzve dhe e popujve të frymëzohet e të drejtohet nga dashuria e bamirësia. Kështu ajo bashkëvepron në ndërtimin e atij qyteti të Zotit drejt të cilit ecën familja njerëzore”. Kujtojmë se në qendër të punimeve të mbledhjes së Presidentëve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, që do të përfundojnë këtë të diele, janë marrëdhëniet Shtet-Kishë, marrëdhënie që janë përmirësuar dukshëm në Vende të ndryshme të Evropës, pas rënies së komunizmit. Një shenjë e marrëdhënieve të mira që ekzistojnë ndërmjet Shtetit e Kishës është edhe takimi i një delegacioni kardinalësh e ipeshkvijsh me presidentin e Francës, Nikolas Sarkozi.







All the contents on this site are copyrighted ©.