2009-10-02 17:53:36

Telegram i Papës për viktimat e tërmetit në Indonezi. Ipeshkvi i Padangut: nuk dua para, por solidaritet


(02.10.2009 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI i dërgoi sot një telegram ngushëllimi Nuncit Apostolik në Indonezi, vendit të dëmtuar rëndë nga tërmeti i ditëve të fundit. Ati i Shenjtë shpreh ngushëllimet për viktimat e familjet e tyre dhe inkurajon ata që merren me ndihmat e emergjencës të punojnë me të gjitha forcat për t’i sjellë ngushëllim e mbështetje popullsisë së goditur nga tërmeti.
Ndërkaq, bilanci i viktimave ka ndryshuar: mëse 1100 vetë kanë humbur jetën e shumë të tjerë janë poshtë gërmadhave, mëse 2000 të plagosurit e të shumtë të pastrehët. Një zonë me tre milion banorë, ajo e Padangut, është shkatërruar krejtësisht brenda një nate. Tani rreziku janë epidemitë. Të dëgjojmë ipeshkvin katolik të Padangut, imzot Martinus Dogma Situmorang:
Njerëzit u përgjigjën mjaft mirë, me solidaritet, por mbetet shumë për të bërë për të ndihmuar materialisht, psikologjikisht dhe shpirtërisht personat. Nuk duhet vetëm të varrosim të vdekurit, por edhe të inkurajojmë të mbijetuarit, sidomos familjet që kanë pasur humbje.
A dëshironi të bëni një thirrje të veçantë nga mikrofoni i Radio Vatikanit?
Po. Këto katastrofa natyrore nga vijnë? Kanë vetëm shkaqe natyrore? Apo kemi ndonjë efekt negativ, që varet nga sjellja jonë në histori? Është një çast reflektimi. Dëshiroj të bëj një thirrje të fuqishme për ta ruajtur natyrën e pastaj, për ta ruajtur njëri-tjetrin, pasi jemi anëtarë të së njëjtës familje njerëzore. Në këtë çast dhimbjeje, secili duhet t’i qëndrojë afër tjetrit, duhet të pyesë se ç’mund të bëjë. Të lutemi, të ngushëllojmë, të ndihmojmë për të kapërcyer vuajtjen. Nuk dua të kërkoj para… por bamirësi, dua që të ndihemi anëtarë të së njëjtës familje. Kështu, pa dyshim që secili do të ndjejë detyrën, por edhe gëzimin e përgjegjësinë për t’u përgjigjur, për të bërë diçka, për të qenë afër dikujt, e atëherë vendet tona do ta kenë më lehtë, sepse hallet do të ndahen me të gjithë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.