Sot me 2 tetor kalendari Kishtar përkujton festën e Engjëjve të Rojës
(02.10.2009 RV)Përkujtimi i Engjëjve të Shenjtë, sot të përmendur në mënyrë
të qartë në ‘Martirologun Romak’ të Kishës Katolike, si Engjëjt e Rojës, kremtohet
që nga viti 1670 më 2 tetor, datë e caktuar nga Papa Klementi X (1670-1676); Kisha
Ortodokse e kremton këtë festë më 11 janar. Në historinë e shëlbimit, Hyji ia beson
Engjëjve misionin për t’i mbrojtur patriarkët, shërbëtorët e tij e tërë popullin e
zgjedhur. Shën Pjetri në burg lirohet nga Engjëlli i tij. Jezusi në mbrojtje të të
vegjëlve thotë se Engjëjt e tyre e shohim gjithmonë fytyrën e Atit që rri në Qiell.
Pra, prania e padukshme e këtyre shpirtrave të lum, e Engjëjve të Rojës na ndihmon
e na ngushëllon fort: ata ecin përkrah nesh e na mbrojnë në çdo rrethanë, na ruajnë
nga rreziqet e mund t’u kërkojmë ndihmë në çdo çast. Shumë shenjtorë kishin me
Engjëjt marrëdhënie të vërteta miqësie e të shumta janë episodet, që flasin për ndihmën
e tyre në raste të veçanta: “Engjëjt dërgohen nga Zoti për t’i shërbyer atyre, që
do ta trashëgojnë shëlbimin, siç na e kujton Letra drejtuar Hebrenjve (1,14), e na
japin ndihmën e tyre në shtegtimin tokësor drejt Atdheut qiellor”. Engjëjt e Rojës
, pra, janë figura qiellore të pranishme në universin fetar e kulturor të Biblës,
si dhe në shumë besime të lashta. Engjëjt e Rojës paraqiten gjithnjë si qenie me krahë,
simbol i forcës ndërmjetësuese të Zotit tek njeriu. Fjala engjëll vjen nga greqishtja
e lashtë "anghelos - lajmëtar". Nuk është, prandaj, aspak e rastit që në gjuhën biblike
termi engjëll tregon një person të dërguar prej Zotit për të kryer një mision. Me
këtë kuptim kjo fjalë përdoret 175 herë në Besëlidhjen e Re e 300 herë në Besëlidhjen
e Vjetër, ku flitet edhe për funksionin e ushtrisë qiellore, të ndarë në nëntë shkallë
hierarkike: Kerubinët, Serafinët, Fronet, Sundimet, Autoritetet, Virtytet qiellore,
Principatat, Kryeengjëjt, Engjëjt. Sot figurat e engjëjve vijojnë të kujtohen në
predikimet liturgjike, madje përdoren shpesh si simbole edhe nga mjetet e komunikimit.
Gjithsesi çdo i krishterë e di se ka një engjëll të rojës, i cili e shoqëron në çdo
hap të jetës e të cilit i lutet çdo mëngjes e mbrëmje ta shndrisë, ta ruajë, ta mbrojë,
ta sundojë. Ta kërkojmë me besim ndihmën dhe mbrojtjen e Engjëjve të Rojës.