2009-10-01 16:49:39

Tërmeti në Sumatra. Viktimat ndoshta janë me mijëra. Thirrja e ipeshkvit të Padangut.


(01.10.2009 RV)RealAudioMP3 Vazhdon të rritet bilanci i viktimave të shkaktuara nga tërmeti 7,6 ballësh i shkallës Rihter që goditi dje ishullin indonezian të Sumatrës. Lajmet e fundit flasin për 770 të vdekur, por numri, fatkeqësisht është ne rritje. Mendohet se janë me mijëra personat që kanë mbetur nën gërmadha.

Shpëtuesit po gërmojnë me gjithçka kanë e madje edhe me duar për të nxjerrur nga rrënojat të mbijetuarit. Të plagosurit po mjekohen jashtë spitaleve të cilat janë shkatërruar, jo shumë larg nga morgjet e ku janë vendosur viktimat. Sipas autoriteteve qyteti më i goditur është Padangu, me 3, 5 milionë banorë. Situata është shumë dramatike pra, dhe është përkeqësuar nga shirat e rrëmbyera që po bien, të cilat po e pengojnë gjetjen e viktimave të tërmetit ndërkohë që rritet rreziku i epidemive. Flitet për gati pesë mijë të vdekur, numër ky më i lartë se ai i cunamit të dhjetorit të 2004.
Mbi gjendjen flet ipeshkvi i Padangut Imzot Martinus Dogma Situmorang, kryetar i konferencës ipeshkvnore indoneziane dhe drejtor i Karitasit:

Përgjigje: Informatat janë shumë sporadike dhe të copëzuara sepse komunikimi është ndërprerë. Intensiteti i fatkeqësisë është tepër i lartë. Gërmimet për të gjetur të mbijetuarit vazhdojnë.

Pyetje: Ndërsa Kisha po i shpërndan ndihma popullatës së dëmtuar, apo jo?

Përgjigje: Po, patjetër. Njerëzit tanë kanë filluar menjëherë nga puna. Edhe Karitasi ndërkombëtar është në kontakt me ne. Me sa di unë zona ku jetojnë katolikët është nga më të goditurat dhe me siguri që ka shumë të vdekur.

Pyetje: A doni t’i bëni një thirrje bashkësisë ndërkombëtare?

Përgjigje: Patjetër, ndonëse edhe pa bërë thirrje bashkësia ndërkombëtare është shumë e ndjeshme dhe shumë e vrullshme në shpërndarjen e ndihmave. Por sidoqoftë, mendoj se është diçka e detyrueshme të ndihmohen ata që kanë humbur gjithçka, apo jo?

Pyetje: Po cilat janë lajmet që vijnë nga Xhakarta? Këtë pyetje ia drejtuam Atë Jozef Forro, sekretar i nunciaturës në Indonezi:

Përgjigje: Porsa folëm me murgeshat që kanë një shkollë aty dhe thonë se në shkollë rreth 60 studentë kanë mbetur nën rrënoja. Tani duhet të lutemi për ta, që t’i shpëtojnë.

E pikërisht në Padang kanë mbërritur tashmë edhe skuadrat e ndihmës së shpejtë “Terrë dez omë” që janë të pranishme në Indonezi që prej 2004. Në mikrofonin tonë flet Bruno Neri, përgjegjës i emergjencave të kësaj organizate joqeveritare:

Përgjigje: Në këto çaste po punojmë. Jemi në kontakt edhe me organizatat e tjera joqeveritare në Padang të cilat janë aktivizuar në fushën e mjekësisë dhe po ndihmojnë të plagosurit. Qeveria iu ka dhënë edhe tenda. Në të njëjtën kohë është edhe një grup që po ndihmon Kryqin e Kuq të vendit për të gjetur njerëzit që kanë mbetur ende nën gërmadha dhe për evakuimin e personave që gjenden në rrezik, që të çohen në vende më të sigurta, edhe pse në këto çaste po bie shumë shi dhe ka shumë fëmijë të ftohur.







All the contents on this site are copyrighted ©.