2009-10-01 16:35:20

Koncert në praninë e Papës për 70-vjetorin e shpërthimit të Luftës II Botërore


(01.10.2009 RV)RealAudioMP3 Edhe muzika mund të favorizojë dialogun dhe pajtimin e të pengojë që të përsëriten tmerret e Luftës II Botërore. Kjo është ideja që qëndron në bazën e koncertit të organizuar nga Këshilli Papnor për bashkimin e të krishterëve, Komisioni për marrëdhëniet fetare me hebraizmin dhe Ambasada gjermane pranë Selisë së Shenjtë. Ai është në program për në datën 8 tetor, në praninë e Papës Benedikti XVI.
Iniciativa u paraqit sot paradite në Vatikan nga kryetari i Këshillit Papnor, kardinali Valter Kasper, i cili nënvizoi se 70 vjet pas shpërthimit të Luftës II Botërore, Selia e Shenjtë dëshiron t’i drejtohet jo vetëm brezit që i ka vuajtur tmerret e saj, por edhe brezit të ri e të gjithë atyre, që duan të nxjerrin mësime nga e kaluara për të ndërtuar një botë më të mirë.
Koncerti do të propozojë pjesë të kompozitorit Gustav Mahler dhe sinfoninë e katërt të Feliks Mendelsonit, shoqëruar me leximin e teksteve nga Gëte, Hajne e Breht, realizuar nga aktori gjerman Klaus Maria Brandauer. Do të ekzekutojë orkestra e përbërë nga muzikantë të rinj, me prejardhje nga 15 kombe të ndryshme, me dirigjent Johem Hohshtenbah dhe Volfgang Gonenvain. Koncerti ka patronazhin e Komitetit ndërkombëtar hebraik për dialogun ndërfetar, gjë që u vu në dukje nga kardinali Kasper, i cili kujtoi se historia ka lënë “plagë” edhe në marrëdhëniet ndërmjet dy feve.
“Për të shëruar këto plagë të tjera – nënvizoi kryetari i Këshillit Papnor për bashkimin e të krishterëve – Kisha Katolike është nxitëse kryesore e pajtimit dhe e procesit të kurimit të kujtesës, duke u bërë një zë gjithnjë e më i vendosur. Ky impenjim përbën sfondin e koncertit” – përfundoi ai.







All the contents on this site are copyrighted ©.