Me 30 shtator kalendari kishtar përkujton Shën Jeronimin, meshtar e doktor i Kishës
(30.09.2009 RV)Një nga figurat më të shquara të Kishës katolike gjatë shekujve
të parë mbas ediktit kostandinian, Shën Jeronimi qe polemist i mprehtë, skripturist
i thellë dhe punëtor i palodhshëm. Lindi në Stridon të Dalmacisë ilire rreth vitit
347 në një familje të krishterë. Që në fëmijëri u dallua për karakter të pavarur e
të pasionuar si edhe për kujtesë e inteligjencë të jashtëzakonshme. U pajis me kulturën
më të lartë klasike të kohës dhe u thellua në studimin e Shkrimit Shenjt sipas tekstit
grek. Talentin e vet e vuri në shërbim të papës Damazi, i cili e ngarkoi me detyrën
të përkthente latinisht tekstet origjinale të Shkrimit Shenjt, në mënyrë që besimtarët
t'i kuptonin sa më mirë gjatë kremtimeve liturgjike. Më pas u tërhoq në Betlehem,
ku u dha pas pendesës, lutjes, kundrimit të Fjalës së Zotit e studimit të gjuhëve
lindore, të aramaishtes e hebraishtes së vjetër. Shën Jeronimi e kuptoi se të
mos e njohësh Shkrimin Shenjt do të thotë të mos njohësh Krishtin. Nisi, prandaj,
të përkthejë krejt Besëlidhjen e Vjetër e të Re nga tekstet origjinale, bashkë me
komentet përkatëse, fryt i mendjes dhe i kulturës së tij. Kështu doli në dritë “Vulgata”
e cila ende sot, mbas gati 20 shekujsh, përdoret në liturgjí të Kishës. Shën Jeronimi
vdiq në Betlehem të Palestinës më 30 shtator të vitit 420, duke përsëritur lutjen
që ia kishte drejtuar vazhdimisht Zotit: "Më fal, o Zot, se jam dalmat". Kërkonte
falje për temperamentin e tij kolerik, që e kishte bërë shpesh të humbiste kontrollin
mbi vetveten. Kishës, të cilën e kishte dashur aq shumë, i la trashëgim thesarin e
pallogaritshëm të veprave të tija. Shën Jeronimit, është At i Kishës, që përktheu
në latinisht Biblën. Jeronimi shte vërtetë njeri i dashuruar me Fjalën e Zotit. Në
festën e tij edhe ne jemi të ftuar të ecim në gjurmët e tij dhe ta lexojnë e meditojmë
Biblën, Fjalën e Hyjit, duke rikujtuar fjalët e Jeronimit: “Të mos njohësh Shkrimin
Shenjt, do të thotë të mos njohësh Krishtin”. “Bibla pra, është mjeti me të
cilin Hyji u flet çdo ditë besimtarëve” (Ep. 133, 13), bëhet kështu nxitje e burim
i jetës së krishterë në çdo situatë e për çdo njeri. Të lexosh Shkrimin Shenjt do
të thotë të flasësh me Hyjin: “Në se lutesh – i shkruan Shën Jeronimi një vashe fisnike
romake – ti flet me Dhëndrin; në se lexon, është ai që të flet”. (Ep. 22, 25). Studimi
e meditimi i Biblës e bëjnë njeriun të urtë e paqësor. (krh In Eph., prol). Po
sikur na porosit Benedikti XVI lypen dy kriteret themelore që duhen pasur parasysh
për ta kuptuar Biblën. Së pari: “Vetëm fryma e thellë e lutjes dhe ndihma e Shpirtit
Shenjt mund të të ndihmojnë për ta kuptuar Biblën: “Në interpretimin e Shkrimit Shenjt
ne kemi gjithmonë nevojë për ndihmën e Shpirtit Shenjt” (Në Mich. 1, 1, 10, 15)”.
Kriteri i dytë i interpretimit të Fjalës së Zotit është përkimi me magjisterin
e Kishës, do të thotë me mësimet zyrtare të Kishës: “Nuk mund ta lexojmë kurrë Biblën
të vetëm. Gjejmë shumë porta të mbyllura e shkasim lehtësisht në gabim. Bibla u shkrua
nga Populli i Hyjit e për popullin e Hyjit, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt. Vetëm
përmes këtij bashkimi me Popullin e Hyjit mund të hyjmë me gjithë vetveten në bërthamën
e së vërtetës, të cilën dëshiron të na e thotë vetë Zoti. Për shën Jeronimin, interpretimi
i Biblës duhet të jetë gjithnjë në pajtim të harmonishëm me fenë e Kishës katolike”.
Shën Jeronimi nuk e shpërfilli kurrë aspektin etik, do të thotë detyrën e koherencës
së krishterë për ta jetuar Fjalën e Zotit, që duhet ta kenë parasysh të gjithë besimtarët
e , në mënyrë të posaçme, predikatarët: “Kështu nxit meshtari Nepoçian: ‘Veprat tua
nuk duhet të jenë në kundërshtim me fjalët tua, për të mos ndodhë që, kur të predikosh
në Kishë, ndokush të thotë me vete: ‘Po ti vetë, pse nuk vepron kështu?”. I lezetshëm
vërtetë ky mësues që, si e ka mbushur mirë barkun, të mëson si të agjërosh; edhe një
hajdut mund ta dënojë koprracinë; por Meshtari i Krishtit duhet të flasë gjithnjë
ashtu si mendon e si jeton”. (Ep. 52, 7). E kjo koherencë duhet të shndërrohet
në vepra dashurie të krishterë sepse – siç thoshte Shën Jeronimi – Jezu Krishti është
i pranishëm në çdo qenie njerëzore. “Ç’ kuptim ka t’i veshësh muret me gurë të çmuar,
në se Krishti vdes urie në njeriun e varfër? (Ep. 58, 7). Jeronimi është konkret e
na mëson: duhet ta veshim Krishtin në të varfërit, ta vizitojmë në të munduarit, ta
ushqejmë në të uriturit, ta strehojmë në njerëzit që nuk kanë çati mbi kokë”. Sot
përmes Shën Jeronimit, të kujtojmë nevojën e edukimit të plotë të njeriut, si kulturor
ashtu edhe fetar e moral . “Sepse pikërisht sot shikojmë sesi edukimi i personalitetit
në tërësinë e tij, edukimi i përgjegjësisë para Hyjit e para njeriut, është kushti
i vërtetë i çdo progresi, i çdo paqeje, i çdo pajtimi e i çdo mospranimi të dhunës.
E është Shkrimi Shenjt, Bibla që na prin drejt realizimit të edukimit para Hyjit e
para njeriut e kështu, edhe drejt humanizmit”.