2009-09-30 16:14:49

Kryeipeshkvi Miliore në Asamblenë e OKB-së: të përtërihet rendi ndërkombëtar nga brenda sistemit të Kombeve të Bashkuara.


(30.09.2009 RV)Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, kryeipeshkvi Çelestino Miliore mbajti dje një fjalim para Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, mbledhur në sesionin e saj të 64-t.
“Ne popujt e Kombeve të Bashkuara, të vendosur…të ripohojmë besimin në të drejtat themelore të njeriut, në dinjitetin e në vlerën e personit, në barazinë e të drejtave të burrave e grave e të kombeve të mëdha e të vogla…” Kështu shkruhet në parathënien e Kartës së OKB-së, miratuar në vitin 1945. Duhet të rikthehemi te këto parime bazë, tha imzot Miliore, për ta përtërirë rendin ndërkombëtar nga brenda, aty ku ndodhin krizat e vërteta.
Përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë uroi të koordinohen më mirë mbledhjet e G8-ës, të G20-ës, takimet rajonale e ndërkombëtare me Asamblenë e OKB-së, në mënyrë që vendimet e marra në selinë e OKB-së të pasqyrojnë vërtet pikpamjet dhe aspiratat e krejt popujve të globit. Gjithashtu duhen gjetur mënyra më të mira për t’i lidhur vendimet e grupeve të vende të ndryshme me ato të OKB-së.
Çdo njeri, theksoi kryeipeshkvi, ka të drejtë të ketë një qeverisje të denjë. Nga ana tjetër, secili duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e veta e të respektojë dinjitetin e tjetrit. Të drejtat e detyrat janë të pandashme. Imzot Miliore denoncoi gjendjen në Honduras, kërkoi që ndihmat për zhvillim të mos drejtohen kundër rritjes demografike dhe bëri thirrje që në Konferencën e Kopenhagenit mbi klimën, e cila do të mbahet nga 8 deri më 16 dhjetor, vendimet të merren si detyrë morale e të kthehen në norma ligjore, që mbrojnë planetin e u sigurojnë brezave të ardhshëm një ambient të shëndetshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.