Sot me 29 shtator kalendari Kishtar perkujton Kryeengjëjt: Mëhillin, Gabrielin e Rafaelin.
(29.08.2009 RV)Sot Kisha katolike përkujtoi
tre Kryeengjëjt: Mikelin (ai që ndihmon), Gabrielin (ai që mbron) e Rafaelin (ai që
shëron) për të cilët flitet qartë në Shkrimin Shenjt, ku shënohen edhe detyrat që
kryejnë: Kryeengjëlli Mikel është kryetari i aradheve qiellore; Gabrieli është lajmëtar
e Rafaeli, prijës i shtegtarëve. Kulti i kryeengjëllit Mikel fillon që në shekujt
e parë të historisë së krishterimit. Perandori Kostandini ngriti për nder të tij një
shenjtërore në bregun e Bosforit, në tokën evropiane, ndërsa Justiniani - një shenjtërore
tjetër në bregun e përtejmë.
Data 29 shtator na kujton edhe shugurimin e Kishës
kushtuar Shën Mikelit në shekullin V, në rrugën romake Salaria. Kremtimi i kësaj feste
u përhap me shpejtësi si në lindje, ashtu edhe në perëndim. Në Romë iu kushtua mauzoleu
i famshëm i Adrianit, i cili njihet prej kohe me emrin Kështjella e Shën Engjëllit.
Me
njërin nga Kryeengjëjt, e pikërisht me Kryeengjëllin Gabriel, lidhet ngushtë edhe
radioja e Vatikanit e përgjithësisht, puna jonë si lajmëtarë të Ungjillit përmes valëve
të eterit: Kryeengjëlli Gabriel, që i dha Virgjërës Mari lajmin e madh të shëlbimit,
duke u bërë kështu i pari komunikator - pa mikrofon e pa internet - mjete për të cilat
Kryeengjëjt s’kanë fare nevojë, natyrisht - është Pajtori ynë qiellor dhe i të gjithë
atyre që janë të impenjuar në fushën aq të rëndësishme të komunikimit.
Duke
marrë shtytjen nga festa e sotme e Shenjtorëve Kryeengjëj, Mikelit, Rafaelit e Gabrielit,
Kisha kujtoi se secili prej tyre ka një mision të posaçëm në historinë e shëlbimit:
“Të dashur vëllezër e motra, ta kërkojmë me besim ndihmën e tyre, si dhe mbrojtjen
e Engjëjve të Rojës, festën e të cilëve do ta kremtojmë më 2 tetor. Prania e padukshme
e këtyre shpirtrave të lum, na ndihmon e na ngushëllon fort: ata ecin përkrah nesh
e na mbrojnë në çdo rrethanë, na ruajnë nga rreziqet e mund t’u kërkojmë ndihmë në
çdo çast”. Shumë shenjtorë kishin me Engjëjt marrëdhënie të vërteta miqësie e të
shumta janë episodet, që flasin për ndihmën e tyre në raste të veçanta:“Engjëjt dërgohen
nga Zoti për t’i shërbyer atyre, që do ta trashëgojnë shëlbimin, siç na e kujton Letra
drejtuar Hebrenjve (1,14), e na japin ndihmën e tyre në shtegtimin tokësor drejt Atdheut
qiellor”.Kujtojmë se emrat Mikel, Gabriel e Rafael janë shumë të përhapur në Shqipëri,
madje Shën Mikeli, i njohur si Shën Mhilli, është pajtor i disa fshatrave të Veriut.