2009-09-29 13:41:52

Sot, Kisha Katolike kremton festën e kryengjëjve Mëhill, Gabriel e Rafael


(29.09.2009 RV)Emri Mëhill vjen nga shprehja “Mi-ka-El”, që do të thotë “kush është si Zoti?”. Kryengjëlli Mëhill është ai që ka mbrojtur fenë në Zotin nga hordhitë e Qoftëlargtit. Kulti i tij e ka origjinën në Lindje. Duke filluar nga viti 313, perandori romak Kostandini I i dha shumë rëndësi devocionit për të, derisa i kushtoi të ashtuquajturin “Mikeleion”, një shenjtërore madhështore në Kostandinopojë. Në fund të shekullit V, kulti u përhap me shpejtësi në gjithë Evropën, pas dukjes së kryengjëllit në zonën e Garganos në Pulja të Italisë.
Në Lindje, shën Mëhilli kryengjëll nderohet me titullin e “kryestrategut”, që i korrespondon titullit latin të “princit të ushtrive qiellore”, siç thuhet në lutjen kushtuar shën Mëhillit.
Sipas traditës, kryeengjëlli i është dukur shën Lorenc Maioranit, ipeshkëv i Sipontos, më 8 maj të vitit 490 dhe i ka treguar një shpellë në Gargano të Puljes, e cila i duhej kushtuar kultit të krishterë. Edhe sot e kësaj dite aty ngrihet shenjtërorja kushtuar shën Mëhillit Kryengjëll, e cila në Mesjetë qe pikë shtegtimesh pa fund.
Thuhet se gjatë një epidemie murtaje në Romë, në përfundim të një procesioni me lutje kryesuar nga Papa Gregori I, Ati i Shenjtë pa në majën e Kështjellës së Shën Engjëllit pikërisht shën Mëhillin, që fuste shpatën në mill, shenjë se lutjet për fundin e epidemisë ishin dëgjuar. Që atëherë, mbi monument ngrihet një shtatore e Kryengjëllit.
Njerëzit i luten shën Mëhillit Kryengjëll për t’i kërkuar vdekjen e mirë. Ai është gjithashtu shenjti pajtor i parashutistëve, tregtarëve, policëve, prodhuesve të peshoreve etj.

Emri Gabriel vjen nga hebraishtja e do të thotë “forca e Zotit”, ose “Zoti është i fortë”, ose “heroi i Zotit”. Kryengjëlli Gabriel është i pari që përmendet në Librin e profetit Daniel në Bibël. Paraqitej edhe si “dora e majtë e Hyjit”. Paralajmëroi lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit e të Jezu Krishtit e madje, edhe për myslimanët, është engjëlli përmes të cilit Zoti i zbuloi Kuranin Muhametit.
Qe shën Gabrieli ai që lajmëroi shën Marinë se Zoti e kishte zgjedhur për lindjen e Birit të vet, Jezu Krishtit. E pikërisht për këtë arësye, Kryengjëlli nderohet si pajtor i gazetarëve dhe i personave që punojnë në botën e komunikimeve.

Shën Rafaeli, në traditën biblike, është një nga kryengjëjt që qëndrojnë me Zotin dhe i këndojnë pa pushim lavde. Emri Rafael në hebraisht do të thotë “ilaçi i Zotit”, ose “Zoti shëron” dhe i kundërvihet kuptimit që ka emri i djallit, Asmodeo: “Ai që bjerr”.
Rafaeli është engjëlli i tretë për të cilin flet Bibla. Përmendet në Librin e profetit Tobia, ku merr formë njerëzore me emrin Azari. Rafaeli udhëheq dhe mbron të riun Tobia, duke bërë t’i jepen paratë që i ati i kishte lënë në një qytet të Medisë, duke e martuar me Sarën, e cila shërohet nga ngacmimet e qoftëlargtit dhe shëron edhe të atin e Tobisë nga verbëria. Në fund të misionit, zbulohet duke thënë se ai është “njëri nga shtatë shpirtrat gjithnjë të gatshëm për të hyrë në praninë e madhështisë së Zotit”.
Në ikonografinë e krishterë, Kryengjëlli Rafael paraqitet me një peshk dhe me vazon me ilaçe. Ai nuk njihet nga pjesa më e madhe e protestantëve, por përmendet në tekstet islamike. Sipas Hadithit, Izrafili (Rafael në arabisht) është engjëlli që ka për detyrë të lajmërojë ardhjen e Gjykimit të Mbramë duke i rënë një briri. Në ndryshim nga Xhibraili (Gabrieli) dhe Mikaili (Mëhilli), ky kryengjëll nuk përmendet në Kuran.
Shën Rafaeli është engjëlli i dashurisë bashkëshortore dhe i shëndetit e prandaj, konsiderohet Pajtori i të rinjve, të fejuarve, të bashkëshortëve, farmacistëve, edukatorëve, endacakëve, refugjatëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.