2009-09-29 15:29:52

Mesazhi i Papës për Ditën e Komunikimeve Shoqërore 2010 i kushtohet meshtarëve dhe baritorisë në epokën dixhitale.


(29.09.2009 RV)RealAudioMP3 Mesazhi i Papës Benediktit XVI për Ditën e 44 Botërore të Komunikimeve Shoqërore i drejtohet kryesisht meshtarëve dhe potencialeve baritore që mbartin me vete mjetet e reja të komunikimit. Tema për 2010 që u bë publike sot ka si titull: “Meshtari dhe ministeri baritor në botën dixhitale. Mediat e reja në shërbim të Fjalës.” Me këtë reflektim – thuhet në notën shoqëruese të paraqitjes zyrtare – ftohen meshtarët t’i konsiderojnë mediat e reja “si një mundësi e madhe në ministerin e tyre në shërbim të Fjalës. “Nëse njihen dhe vlerësohen drejt, – vazhdon nota, – mjetet e komunikimit dixhital mund t’u japin meshtarëve dhe të gjithë veprimtarëve baritorë pasuri të dhënash dhe tekste që më parë gjendeshin me vështirësi, por edhe lehtësojnë mënyrat e bashkëpunimit edhe të rritjes së bashkimit, gjë që në të kaluarën ishte e pamundur.”

“Falë mediave të reja, – thuhet më tej në notën e paraqitjes zyrtare të temës për Ditën Botërore të Komunikimeve, – kush predikon dhe përhap Fjalën e Jetës mund të hyjë në kontakt, – me fjalë, me tinguj e me pamje, që janë veçori specifike e kulturës dixhitale, – me individë të ndryshëm por edhe me bashkësi të tëra në çdo kontinent, për të krijuar hapësira të reja njohjeje dhe dialogu duke mbërrritur deri atje sa të organizojë intinerare bashkimi”. Nëse përdoren urtisht, me ndihmën e specialistëve të teknologjisë dhe të kulturës të komunikimeve, mediat e reja, – përfundon nota, – mund të bëhen kështu një instrument i dobishëm dhe efikas i ungjillëzimit dhe i bashkimit për meshtarët por edhe për të gjithë veprimtarët baritorë.”







All the contents on this site are copyrighted ©.