2009-09-29 15:30:21

Mbas Filipineve tajfuni “Kecana” godit Vietnamin, Laosin dhe Tajlandën. Veprimtaria e Karitasit në zonat e kësaj fatkeqësie natyrore.


(29.09.2009 RV)Stuhia tropikale “Kecana” vazhdon të shkaktojë të vdekur dhe shkatërrim në ishujt e Filipineve por edhe në Vietnam, Laos dhe Tajlandë. Viktimat në kryeqytetin Manila dhe në zonat e goditura nga përmbytjet janë më se 240 vetë, ndërsa në Vietnam ka 23 të vdekur dhe 170 mijë vetë të evakuar. Me dhjetra të humburit dhe disa qindra mijëra të spastrehët. Këtyre, organizatat qeveritare dhe ato joqeveritare po përpiqen t’u çojnë, - mes një mijë vështirësive, - ndihmat e nevojshme për të përballuar situatën. Ndër ata që japin ndihmë është edhe Karitasi.
Në mikrofonin tonë flet Xhilio Bruneli i Karitasit Ndërkombëtar me qendër në Kanada. Ta dëgjojmë:

Përgjigje: Ne po përpiqemi t’i ndihmojnë viktimat e tajfunit që goditi Filipinet. Po punojmë veçanërisht me Karitasin. Kështu, së bashku me Karitasin kemi kuptuar se mund të ndihmojmë afro 10 mijë familje në zonën e Manilës dhe rreth e rrotull, gjithsej afro 50 mijë vetë.

Pyetje: Për çfarë kanë më shumë nevojë familjet e goditura nga kjo fatkeqësi natyrore?

Përgjigje: Po mendojmë që këtyre familjeve para së gjithash t’u dërgohen ushqime, në veçanti oriz që është ushqimi tradicional, sepse kujtojmë që këta njerëz, viktima të tajfunit i kanë lënë shtëpitë e tyre të shtunën e kaluar me një frymë dhe nga ajo ditë e deri më sot nuk kanë patur veçse pak mundësi të marrin ndihma. Pra, është tepër e rëndësishme që të furnizohen me ushqime sa më parë. Një tjetër gjë tepër e rëndësishme është uji i pijshëm. Shirat, rrëshqitjet e dheut e kanë dëmtuar sistemin e ujësjellësit të Manilës dhe të zonave përreth, dhe siç dihet, pa ujë, nuk mund të rrosh. Pra, gjëja e dytë që do të bëjë Karitasi është furnizimi me ujë.

Pyetje: Përveç viktimave dhe dëmeve materiale duhen numëruar edhe të mbijetuarit….

Përgjigje: Siç ndodh shpesh gjatë turbullirave që vijnë pas fatkeqësive të këtij lloji, ka familje që shkapërdahen. Kështu që Karitasi filipinas, falë veprimtarëve që mbulojnë krejt territorin e vendit dhe në veçanti zonën që u godit nga tajfuni, po përpiqet t’i ribashkojë familjet. Bëhet fjalë këtu për një fatkeqësi natyrore që ka trazuar jetën e më shumë se një gjysmë milioni vetëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.