2009-09-29 17:01:13

Kardinali Mikel Koliqi në 107-vjetorin e lindjes


(29.09.2009 RV)Përkujtojmë sot një nga figurat më të ndritura të Kishës katolike shqiptare, njeriun që u bë simbol i qendresës dhe gjakut të martirëve, derdhur nga diktatura komuniste: kardinalin shqiptar, Mikel Koliqin, në 107-vjetorin e lindjes.
Kardinali Koliqi lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për t'i vijuar studimet në Milano të Italisë, ku edhe u diplomua. Ishte në moshë të pjekur, kur ndjeu thirrjen për rrugën meshtarake, thirrje që e kurorëzoi duke u shuguruar meshtar më 30 maj 1931. U kthye menjëherë në Atdhé dhe nisi shërbimin, më parë si ndihmës-famullitar, e pastaj si famullitar i katedrales së Shkodrës. U shqua edhe për veprimtarinë e tij muzikore e publicistike. Muzikoi melodramat e para në historinë e muzikës shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me Don Ndré Zadejën. Qe kryeredaktor i revistës "Kumbona e së Dieles". Gjatë regjimit komunist u burgos tri herë dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie.
Ati i Shenjtë Gjon Pali II e emëroi prelat nderi në janar 1992, e takoi personalisht gjatë vizitës së tij në Shqipëri, më 25 prill 1993 dhe e krijoi kardinal më 26 nëntor 1994. Menjëherë pas fillimit të proceseve demokratike, kardinali Koliqi u nderua së pari me titullin "Pishtar i demokracisë", më pas me titullin "Nënë Tereza" dhe, vetëm pak ditë para vdekjes, me titullin më të lartë "Nderi i Kombit". Vdiq në Shkodër, më 28 janar 1997. U përpoqëm të përmbledhim në pak rreshta një jetë, për të cilën mund e duhet të shkruhen shumë libra; një jetë që shtrihet në gjithë hapësirën e shekullit të kaluar, një jetë të jashtëzakonshme, së cilës deri tani i është kushtuar vetëm libri "Mikel Koliqi", shkruar nga kushëriri i Prelatit të lartë, Gjon Simoni.
Shumë herë i ka folur popullit shqiptar edhe nga mikrofoni i Radio Vatikanit Kardinali Koliqi, prandaj zëri i tij e sidomos porosia e shembulli i tij është i gjallë ndërmjet nesh, ashtu si janë të gjalla porositë e tij në kujtesën e popullit shqiptar.







All the contents on this site are copyrighted ©.