2009-09-29 14:54:05

Kardinali kryeipeshkëv i Pragës, Miloslav Vlk: vizita e Papës e vuri sërish Kishën çeke në qendër të jetës shoqërore


(29.09.2009 RV)Akoma vazhdon jehona e shtegtimit të 13-të apostolik të Papës Benedikti XVI në Republikën Çeke, udhëtim triditor, që përfundoi dje. Ati i Shenjtë mbeti thellësisht i mallëngjyer nga pritja e përzemërt, që i rezervoi popullsia dhe Kisha e vendit. Kjo e fundit, pikërisht për hir të vizitës së Papës, doli nga mënjanimi në të cilin dëshiron ta lërë shekullarizimi i përhapur, për ta vënë sërish veten në qendër të jetës shoqërore çeke. Por mbi frytet e pranisë së Benediktit XVI në Pragë, Brno e Stara Boleslav, të dëgjojmë kryeipeshkvin e kryeqytetit çek, kardinalin Miloslav Vlk:RealAudioMP3

Nëse duhet ta përmbledh situatën me një fjalë do të thosha “shpresë”, sepse para se të vinte Papa, imazhi i vendit tonë në media ishte ai i një vendi ateist dhe të shekullarizuar. Në të vërtetë, realiteti që doli në pah e që u përjetua nga Ati i Shenjtë ishte tjetër: kishte shumë besimtarë, shumë njerëz në Brno e në Stara Boleslav pranë Pragës. Edhe ai vetë e tha këtë dhe u pa se prania e njerëzve nuk ishte vetëm për kuriozitetin që të shihnin një person të rëndësishëm, por për fenë. E Ati i Shenjtë e ndjeu këtë, sidomos në Stara Boleslav, ku ishin shumë të rinj. Gëzimi i tyre ndikoi shumë e Ati i Shenjtë, në drekën e fundit me ipeshkvijtë tha se kjo ishte një vizitë e jashtëzakonshme.

Gjatë këtyre ditëve, Benedikti XVI tha fjalë të rëndësishme jo vetëm për fenë, por edhe për jetën e përditshme të bashkëatdhetarëve tuaj e jo vetëm për ta. Hirësi, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje nga fjalët e Atit të Shenjtë?

Papa vlerësoi traditën tonë shpirtërore e më duket se shën Vençeslau, si fisnik e si martir, ishte figura simbolike e kësaj historie. Në të njëjtin person bashkohen shoqëria e Kisha. Kjo më bëri shumë përshtypje. Ati i Shenjtë e provoi këtë sidomos në Stara Boleslav, vendi i martirizimit të shën Vençeslaut. Fakti që festa e tij është festë kombëtare më duket domethënëse.

A keni dëgjuar se ç’jehonë pati ky udhëtim ndërmjet besimtarëve?

Po, e komentet ishin shumë pozitive. Ata panë se Papa është i thjeshtë, i përvuajtur. U prit me respekt e me gëzim të madh.

Për Kishën e një vendi, vizita e Papës shënon gjithnjë një ndarje në para dhe pas vizitës. Si rifillon jeta e Kishës çeke pas takimit me Benediktin XVI?

Më parë, Kisha shihej si një grup i vogël në skaj të shoqërisë e të jetës shoqërore. Me vizitën e Atit të Shenjtë, shoqëria sheh se jemi pjesë e Kishës universale, botërore e se tani rreshtohemi pas këtij autoriteti të madh moral e shpirtëror, që është Papa. Më duket se kjo vizitë ka pasur efekte të thella në situatën dhe pozicionin e Kishës në shoqërinë tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.