Imzot Filoni në Radio Vatikan për festën e Kryengjëllit Gabriel: të jeni transmetues
besnikë të lajmeve, pa manipulime
(29.09.2009 RV)Atmosferë festive
në Radio Vatikan, në solemnitetin e Kryengjëllit Gabriel, pajtor i emitentes sonë
dhe i të gjithë personave që punojnë në telekomunikime. “Me shën Gabrielin kuptojmë
se e vërteta nuk duhet t’u nënshtrohet qëllimeve dytësore, nuk duhet manipuluar e
më keq akoma, ndryshuar”. Kështu u shpreh kryeipeshkvi Fernando Filoni, zëvendës i
Punëve të Përgjithshme në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, gjatë meshës së kremtuar
sot paradite në kapelën tonë. Pas meshës, iu dhanë dekorata disa prej punonjësve të
Radios. Të zbatosh logjikën e Zotit – nënvizoi gjatë homelisë imzot Filoni – i
cili preferon të vegjlit e të varfërit, në fushën e komunikimeve shoqërore është një
sfidë e jashtëzakonshme: “Ja përse, edhe në mas media, Kisha ngul këmbë në
mbrojtjen e më të dobtëve, në kërkimin e së vërtetës e të drejtësisë, në tutelimin
e të drejtave të të fundmëve e të të pambrojturve, duke filluar që nga ata, që s’janë
lindur akoma e deri te ata, që tashmë ndodhen në prag të vdekjes. Kisha bëhet zëri
i atyre, që nuk kanë zë, zëdhënëse e atyre, që s’mund të arrijnë në tribunat e të
pushtetshmëve, duke pasur gjithnjë parasysh se ç’na kërkon Zoti; nuk e ul kokën para
kërcënimeve e presioneve të çdo lloji”. Një detyrë e rëndësishme, që e bën
punën e komunikimit një mision të ngjashëm me atë të engjëjve, “lajmëtarë të lajmëve
të mira e të shpresës, ambasadorë të drejtësisë e të paqes, përkrahës të së vërtetës
në dashuri”. Duke kujtuar dialogun ndërmjet Shën Marisë dhe Kryengjëllit Gabriel,
imzot Filoni vuri në dukje se si “lajmi i marrë” duhet të jetë gjithnjë model për
punën e gazetarit: “Çdo gazetar e teknik i komunikimeve është i thirrur të
jetë transmetues besnik dhe i drejtë i lajmeve, kultivues i kujdesshëm i së vërtetës,
në respektimin e dinjitetit të çdo personi”. Brenda fakteve që transmetoni
– uroi prelati – të ndihet pasioni i Zotit për njeriun. Prandaj, është e nevojshme
të kultivohet një etikë rigoroze, si në përdorimin e fjalëve, ashtu edhe të gjesteve,
pasi komunikimi është mision e mjet i çmueshëm për shenjtërimin e jetës e për ungjillëzimin.
Një detyrë, që na bën “njerëz të shpresës”.