Bota të pasqyrojë bukurinë hyjnore: është mesazhi që la Papa në aeroportin e Pragës,
para kthimit në Vatikan
(28.09.2009 RV)Në orën 17.15, Papa
Benedikti XVI ndodhej tashmë në aeroportin e Pragës, gati për nisjen në drejtim të
Kastelgandolfos, rezidenca e tij verore. Në fjalimin e lamtumirës, Ati i Shenjtë përmendi
një e nga një etapat e shtegtimit të tij të 13-të apostolik ndërkombëtar, duke falenderuar
për mikpritjen autoritetet kishtare e civile dhe të gjithë pjesëmarrësit në takimet
e shumta. “Kisha e këtij vendi – tha Papa – me të vërtetë është bekuar me
një aradhe të jashtëzakonshme misionarësh e martirësh, ashtu si edhe me shenjtorë
kontemplativë, ndër të cilët dëshiroj të kujtoj në veçanti Shën Anjezën e Bohemisë,
kanonizimi i së cilës, pikërisht 20 vjet më parë, lajmëroi çlirimin e këtij vendi
nga shtypja ateiste”. Po tani, ç’duhet të bëjë Çekia? Cila është rruga, që
duhet të ndjekë vendi i çliruar nga komunizmi, por i mbërthyer në prangat e konsumizmit
e të humbjes së identitetit, si shumë nga vendet e Lindjes? Benedikti XVI përdori
një frazë të shkrimtarit të madh çek, Franc Kafka për të ilustruar shtigjet e reja: “Sipas
një fraze që i atribuohet Franc Kafkës, “Kush e ruan aftësinë për të parë të bukurën,
nuk plaket kurrë” (Gustav Janosh, Bisedë me Kafkën). Nëse sytë tanë do të mbeten hapur
para bukurisë së krijimit të Zotit dhe mendjet tona para bukurisë së të vërtetës së
Tij, atëherë me gjithë mend mund të shpresojmë se do të mbetemi të rinj e do të ndërtojmë
një botë, që të pasqyrojë diçka nga bukuria hyjnore dhe t’i frymëzojë brezat e ardhshëm
të punojnë njëlloj”. Zoti e bekoftë Republikën Çeke! Krishti Fëmijë i Pragës
frymëzoftë autoritetet e familjet e kombit çek: këto qenë fjalët e fundit të Papës
Benedikti XVI, i cili mbërriti në aeroportin e Ciampinos, afër Romës, rreth orës 20.00,
për të shkuar më pas në Kastelgandolfo.