2009-09-27 15:51:10

Të ringjallet shpresa: editorial i atë Lombardit mbi shtegtimin e Papës në Republikën Çeke


(27.09.2009 RV)RealAudioMP3 Shtegtimi apostolik i Benediktit XVI në Republikën Çeke u sjell shpresë jo vetëm besimtarëve, por krejt popullit çek. Mbi këtë shpresë, rrënjosur në Krishtin, ndalet në editorialin e sotëm drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë:
“Unë nuk e di se ç’është mrekullia, Por nëse ajo ekziston, është kjo. Pak muaj më parë, isha në burg e tani po pres këtu në Pragë Papën e Kishës Katolike”. Kështu i thoshte Vaclav Havel Papës Gjon Pali II më 21 prill 1990, në udhëtimin e tij të parë në Republikën Çeke, i pari edhe në një vend postkomunist, pas rënies së murit të Berlinit.
Kohë horizontesh të reja e shpresash të mëdha. Një shoqëri për t’u rindërtuar në liri e me përgjegjësi. Po i njëjti Papë u kthye në këtë vend edhe dy herë të tjera për të përsëritur e ofruar mesazhet e tij të mëdha. Historia vazhdoi të ecte përpara, por a janë realizuar shpresat e atëhershme? Ndoshta, pjesërisht po. Sigurisht, pjesërisht jo ose akoma jo.
Kanë kaluar njëzet vjet dhe Pasardhësi kthehet në Pragë. Sigurisht që flet për shpresë: është një temë e dashur dhe familjare për të, pasi u përgjigjet aspiratave më të thella të njerëzimit në këto kohë. Në enciklikën e tij mbi shpresën, Papa ka bërë një dallim të madh ndërmjet shpresës “së vogël” e asaj “të madhe”, që mund t’i japë kuptim e shpirt të gjitha të tjerave, në mënyrë që të mos humben e të mos thahen. Shpresa e madhe mund të shohë e të shkojë larg, sepse ka një bazë të fortë, që nuk duhet harruar, mënjanuar ose më keq akoma, mohuar. E kemi fjalën për Zotin. Duke u kujtuar për të mund të kontribuojmë në ringjalljen e shpresës së madhe.







All the contents on this site are copyrighted ©.