2009-09-27 15:51:41

Shenjtorët e Javës së ardhshme sipas kalendarit kishtar


(27.9.2009 RV)Sot e diel më 27 shtator Kisha kremton të dielën e 26-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë e po sot më 27 shtator, kalendari kishtar përkujton edhe Shën Vinçenc de Paolin, meshtar dhe themelues i Kongregatës së Misionit e të Bijave të Bamirësisë e pajtor i të gjitha shoqatave të bamirësisë

Nesër e hënë 28 shtator, kalendari kishtar na kujton festën liturgjike e Shën Vençeslaut, dukë i Bohemisë, martir dhe e Shën Lorencit Ruiz me shokë, martirë. Përballë lajmeve që dëgjon për Jezusin, edhe Herodi mbetet me gojë hapur nga çudia. Për njerëzit e kohës, Krishti ishte profet i së kaluarës, i ngjallur përsëri. Në se edhe ne mendojmë kështu, gënjehemi keqas e rrezikohemi të mos e kuptojmë të renë që na sjell Jezusi, e cila nuk i përket një kohe të caktuar, por të gjitha kohërave, deri në ditën e fundit të botës.
Të martën e ardhshme me 29 shtator Kisha na fton të bashkojmë zërat në korin e engjëjve në festën e Kryeengjëjve Mikelit, që do të thotë ‘Kush është si Zoti’; Gabrielit që do të thotë ‘forca e Hyjit’ e Rafaelit që do të thotë ‘ilaçi i Zotit’. Këta kryeengjëj na tregojnë se Hyji nuk na lë kurrë vetëm. Kryeengjëjt, gjithnjë në prani të Zotit e gjithnjë gati për të shërbyer, janë provë e ndihmës që Hyji ia ofron gjithnjë njeriut.
 
Të mërkurën me 30 shtator do të kremtohet festa e Shën Jeronimit, meshtar e doktor i Kishës, që i lutej Zotit t’i jepte diturinë e vërtetë për të kuptuar si duhet Fjalën Hyjnore. Gjithnjë të mërkurën kalendari kishtar përkujton edhe Shën Françesk Borgjia, jezuit.
 
Të enjten më 1 tetor Kisha do të kremtojë Shën Terezën e Krishtit Fëmijë, virgjër karmelitane, doktore e Kishës e pajtore e misioneve. Në liturgjinë e festës, profeti na kujton se Zoti bën mrekulli, që ne mund të na duken të pamundura, ndërsa më pas leximi i Ungjillit na siguron se për Zotin nuk ka asgjë të pamundur e se praninë e tij e shikojmë vazhdimisht ndër fëmijët e në të gjithë njerëzit e pambrojtur.
 
Të premten më 2 tetor, festa e Engjëjve të Rojës, na kujton se Zoti dërgon engjëjt e tij për të na shoqëruar në çdo hap të jetës sonë. Engjëjt e Hyjit mbrojnë posaçërisht më të vegjlit, ata që shoqëria i përbuz e i flak jashtë radhëve të saj.
 
Liturgjia e festës së Shën Kandidës martire, që Kisha do ta kremtojë të shtunën më 3 tetor, na nxit të meditojmë për detyrën tonë si të krishterë në ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Është thirrje themelore, që Jezusi na e përsërit çdo çast, duke na kujtuar se kjo thirrje duhet të na nxisë t’i duam të tjerët e jo ta ndjejmë veten më të mirë se ata.
 
Të dielën e ardhshme më 4 tetor, Kisha kremton të dielën e 27-të gjatë vitit kishtar e gjithnjë në këtë ditë, kalendari kishtar përkujton edhe festën e Shën Françeskut të Asizit, themeluesit të Urdhrit Françeskan. Festa e Shën Françeskut na kujton se vizioni optimist i Varfanjakut të Asizit për gjithësinë duhet parë si shembull e nxitje edhe në ditët tona, sepse i kundërvihet konceptimit aktual, që duke e parë botën me syrin e fitimit, përpiqet të na bindë se sendet e njerëzit vlejnë vetëm atëherë kur na shërbejnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.