Benedikti XVI në takimin ekumenik në Pragë: Të krishterët të bashkohen për t’i kujtuar
Evropës rrënjët e saj.
(27.09.2009 RV)Pas Lutjes së Engjëllit
të Tënzot, Papa Benedikti XVI u kthye në Pragë, ku pasdite u takua me Këshillin Ekumenik
të Republikës Çeke në selinë e kryeipeshkvisë. Katolikët përbëjnë 30% të popullsisë,
ndërsa besimtarët e tjerë të krishterë 7%. Cilat janë marrëdhëniet ndërmjet tyre?
Të dëgjojmë ipeshkvin e Plezhnjit, imzot Frantishek Radkovski, përgjegjës për ekumenizmin
në Konferencën Ipeshkvnore Çeke: Janë shumë të mira, pasi tani është e qartë
për të gjithë të krishterët se bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm. Thuhet se jemi
një vend ateist: rreth 20% e popullsisë e deklaron veten ateiste, 20% të tjerë mund
të themi se janë të pavendosur, nuk i përkasin asnjë feje. Përsa i përket ekumenizmit,
Kisha Katolike, Kisha Evangjelike, Vëllezërit Bohemë, Kisha kombetare husite dhe Kisha
ungjillore e Slesias njohin Sakramentin e Pagëzimit që bëhet në simotrat e krishtera.
Kemi bashkëpunuar pozitivisht edhe në tratativat ndërmjet Shtetit e Kishës për pronat
që u janë marrë bashkësive kishtare nga regjimi komunist. Marrëveshja nuk u pranua
nga parlamenti, por qe shenjë e bashkimit ndërmjet Kishave. Edhe në planin praktik
kemi veprimtari të përbashkëta inkurajuese. Pikërisht këtyre Kishave u foli
Papa, duke u kërkuar të bëjnë autokritikë e ta pyesin sërish veten se ç’kontribut
mund të sjellë Ungjilli në Republikën Çeke e në mbarë Evropën: “Krishterimi
ka shumë për të ofruar në planin praktik e moral… Ai ofron shëlbimin… Ai e kupton
dëshirën e zjarrtë për pajtim e bashkim, që buron spontanisht në thellësi të shpirtit
njerëzor. Është e vërteta qendrore e Ungjillit… Dhe është kriteri në të cilin fokalizohen
gjithnjë të krishterët, në impenjimin e tyre për të shëruar plagët e ndarjet e së
kaluarës”. Papa përmendi Jan Husin dhe kuvendin e organizuar në vitin 1999
nga Papa Gjon Pali II për të kuptuar më mirë arësyet e dënimit e të djegjes së tij
në turrën e druve, me të gjitha pasojat tragjike të luftrave që përfshinë territoret
çeke. Ati i Shenjtë kërkoi që nisma të tilla të përsëriten, duke u dhënë kështu përgjigje
edhe parrullave e njerëzve, që kërkojnë rehabilitimin e teologut. Por edhe ngjarjet
e lidhura me Jan Husin tregojnë se krishterimi ka ndikuar e vashdon të ushqejë jetën
publike të Evropës. Këtu, Papa u bëri thirrje të krishterëve të bashkohen, pikërisht
për t’i kujtuar Evropës rrënjët e saj të vërteta: “Kur Evropa dëgjon historinë
e krishterimit, dëgjon historinë e vet. Konceptet e saj të drejtësisë, lirisë e përgjegjësisë
shoqërore, sëbashku me institucionet kulturore e juridike të ngritura për t’i mbrojtur
këto ide e për t’ua përçuar brezave të ardhshëm, janë brumosur nga trashëgimia e saj
e krishterë”.