2009-09-26 16:05:36

Praga


(26.09.2009 RV)Kryeqyteti i Republikës Çeke (1.200.000 banorë) shtrihet në dy brigjet e lumit Moldava, në një lartësi prej 160 deri në 352 metra, mbi shtatë kodra, i mbrojtur mirë nga erërat e veriut, por i hapur nga jugu. Njeriu ka shkelur këtu që në kohën e Neolitikut, por në shekullin X këtu lulëzon kështjella më e rëndësishme e Bohemisë, ndërtuar mbi kodrën, që sot quhet Hradçani. Qyteti zhvillohet gradualisht rreth kështjellës me kontributin e artizanëve dhe tregtarëve. Në vitin 1257, mbreti Premysl Otokaro II themelon “Qytetin më të vogël” që u rezervohet kolonëve gjermanë. Perandori Karl i Luksemburgut e bën atë kryeqytetin e vet e themelon universitetin “Karolinum” (1347) që mban emrin e tij. Nunci Apostolik i kohës, Rudolfi, shkruante: “Pak vende të botës mund të mburren me një qytet, bukuria e të cilit t’i afrohet sadopak asaj të Pragës… e nuk e di nëse qytete si Roma, Venediku e Firence mund të barazojnë bukurinë e kësaj perle në zemër të Evropës”.
Pas një periudhe dekadence nga fundi i viteve 1500, qyteti ringjallet nga ndërtimet e fisnikëve e të Kishës. Zhvillimi urbanistik pasohet nga ai industrial e kështu shtohen lagje të reja që në vitin 1823 përfshihen në të ashtuquajturën Praga e Madhe. Që nga revolucioni i vitit 1848, Praga është gjithnjë e më tepër në qendër të lëvizjes nacionaliste çeke. Të shumta e të çmueshme janë monumentet e epokës romanike, gotike, të Rilindjes e të epokës baroke. Institutet e arësimit të mesëm, muze e biblioteka shumë të pasura, teatret plotësojnë kuadrin e qytetit ku ka lindur Franc Kafka dhe poeti Rainer Maria Rilke e ku ka dhënë mësim fizike Albert Ajnshtajni.
Në vitin 1992, qendra historike e Pragës hyn në listën e pasurive të mbrojtura nga UNESCO. Me këtë qytete janë lidhur jetët e shenjtorëve bohemë si shën Ludmilla, martire (859-920), shën Vençeslau martir, nip i Ludmillës (fillimi i shekullit X – 929 ose 935), shën Adalberti, ipeshkvi i parë bohem, martirizuar në Prusi (956-997), shën Prokopi (979-1053), shën Anjezja (1205-1280), shën Gjon Nepomuçeni, martir (rreth 1340 – 1393), shën Gjon Nepomuçeni Nojman, ipeshkëv i Filadelfias (1811-1860) etj..







All the contents on this site are copyrighted ©.