2009-09-26 16:01:26

Papa, në Republikën Çeke, u bën thirrje besimtarëve të rizbulojnë traditën e krishterë që ka brumosur kulturën e tyre


(26.09.2009 RV)RealAudioMP3 Popullsia e Republikës Çeke, që është çliruar 20 vjet më parë nga një regjim shtypës, të rizbulojë tani traditat e krishtera, që e kanë brumosur aq thellë kulturën e saj: kjo është thirrja e Benediktit XVI në aeroportin e Pragës, në fillim të shtegtimit të tij të 13-të apostolik, që bëhet me moton “Dashuria e Krishtit është forca jonë”.
Një ditë e mrekullueshme plot diell e priti Papën në Pragë, ku i dolën përpara presidenti çek, Vaclav Klaus, kardinali kryeipeshkëv i Pragës, Miloslav Vlk dhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të vendit, imzot Jan Graubner. Ati i Shenjtë shprehu kënaqësinë për dhuratat tipike të vendit, që iu ofruan nga një çift: buka, kripa e dheu. E fjalët e para të Benediktit XVI qenë në çekisht:
“Pane presidente, milí páni kardinálové...”
E më pas, duke vazhduar në anglisht, Papa vuri në dukje kontributin e dhënë në këtë tokë nga shenjtorët sllavë Cirili e Metodi, me anë të alfabetit më të cilin u lexuar Ungjilli edhe në gjuhën sllave, por edhe rolin e luajtur në histori nga territoret çeke, që shpesh kanë qenë vend betejash, por edhe urash ndërmjet popujve, traditave e kulturave të ndryshme.
Benedikti XVI kujtoi 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, i cili shënoi edhe fundin e një epoke në të cilën qarkullimi i ideve dhe i lëvizjeve kulturore kontrollohej rreptësisht:
“I join you and your neighbours in giving thanks…
Bashkohem me ju e me fqinjët tuaj në falenderimin për çlirimin nga ai regjim shtypës. Nëse rënia e murit të Berlinit shënon një vijë demarkacioni në historinë botërore, kjo është edhe më e vërtetë për vendet e Evropës Qendrore e Lindore, duke i bërë ato të afta të marrin vendin që u takon në bashkësinë e kombeve, me cilësinë e protagonistëve sovranë”.
Por nuk duhet harruar – theksoi Ati i Shenjtë – sa e madhe ka qenë kostoja e 40 vjetëve të shtypjes e represionit politik:
“A particular tragedy for this land…
Një tragjedi e veçantë për këtë tokë ka qenë përpjekja e pamëshirshme nga ana e qeverisë së asaj kohe për t’ia mbyllur gojën Kishës. Gjatë historisë suaj, që nga koha e shën Vençeslaut, e shën Ludmillës dhe e shën Adalbertit e deri te shën Gjon Nepomuçeni, ka pasur martirë të guximshëm, besnikëria e të cilëve ndaj Krishtit është ndjerë shumë më qartë e më fort se zëri i vrasësve të tyre”.
Benedikti XVI kujtoi më pas edhe kardinalin Jozef Beran e kardinalin Frantishek Tomàshek për dëshminë e tyre të krishterë para persekutimit, si edhe shumë meshtarë e laikë që e kanë mbajtur ndezur pishtarin e fesë në trojet çeke. E më pas thirrja për të ardhmen:
“Now that religious freedom has been restored…
Tani që liria fetare ekziston sërish, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës, të rizbulojnë traditat e krishtera që e kanë brumosur kulturën e tyre dhe nxis bashkësinë e krishterë të vazhdojë ta ngrejë zërin ndërsa kombi përballet me sfidat e mijëvjeçarit të ri. ‘Pa Zot njeriu nuk di se ku të shkojë e nuk arrin të kuptojë as se kush është’ (Caritas in Veritate, 78). E vërteta e Ungjillit është e domosdoshme për një shoqëri të zhvilluar, pasi i hap dyert shpresës e na bën të aftë të zbulojmë dinjitetin tonë të patjetërsueshëm si bij të Hyjit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.