2009-09-26 16:07:46

Jezusi Fëmijë i Pragës


(26.09.2009 RV)“Jezusi Fëmijë i Pragës” bën pjesë në traditën mijëravjeçare të kultit të fëmijërisë së Krishtit. Zoti, në formën e fëmijës së vogël, është nderuar nga Etër të Kishës si shën Jeronimi, i cili kaloi 34 vjet të jetës së tij si shtegtar afër vendit ku lindi Krishti. Të devotshëm nga Jezusit Fëmijë kanë qenë edhe shën Françesku i Asizit e Shna’Ndou, i cili pasqyrohet me Jezusin Fëmijë në krah. Kulti i Jezusit Fëmijë u përhap në periudhën baroke sidomos pas vizioneve të shën Terezës së Avilës, reformatore spanjolle e Urdhërit Karmelitan.
E pikërisht nga Spanja duket se është nisur shtatorja e vogël që nderohet sot në kishën e Zojës së Fitores në Pragë. Ajo u është dhuruar karmelitanëve nga Princesha Poliksena e Lobkovicit në vitin 1628. 47 cm e lartë, prej druri mbuluar me dyll, shtatorja paraqet Jezusin Fëmijë, i cili, në ndryshim nga shumë shtatore mesjetare, nuk është lakuriq por i veshur me një këmishë që i shkon pas trupit. Gardaroba e fëmijës hyjnore është shumë e pasur e përmban rreth 60 veshje të ofruara nga besimtarët e vendeve të ndryshme (edhe nga Vietnami e Kina) në shenjë falenderimi për hiret e dhuruara. Shtatorja zbukurohet me stoli të ndryshme e me një kurorë të dhuruar nga ipeshkvi i Pragës në vitin 1655. Shtatorja mbahet në një kuti kristali në Altarin kryesor të kishës. Kopje të kësaj shtatoreje mrekullibërëse nderohen në shumë kisha të Pragës, në Sllovaki, Gjermani, Francë, Poloni, Hungari, Austri, Filipine, Vietnam e Kinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.