Historik i shkurtër i marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës Çeke dhe Selisë
Shenjtë
(26.09.2009 RV)Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Selisë Shenjte dhe Çekosllovakisë
ka më se 90 vjet që ekzistojnë. Ato u vendosën në tetorin e vitit 1919. Një vit më
vonë në Vatikan erdhi ambasadori i parë K. Krofta, i cili i paraqiti Papës Benedikti
XV letrat kredenciale. Në vitin 1925 me rastin e kremtimeve përkujtimore në 510-vjetorin
e djegies në turrën e druve të reformistit Jan Hus, ndërmjet Selisë Shenjte dhe Çekosllovakisë
u krijuan shumë tensione të cilat mbërritën kulmin me tërheqjen e përkohshme të Nuncit
apostolik. Por menjëherë nisën përpjekjet për zbutjen e tensioneve. Pas krijimit të
Protektoratit dhe të Shtetit Sllovak, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Vatikani nuk
pati marrëdhënie me qeverinë çeke në azil, në Londër.
Ngjarjet e Çihoshtit.
Në fund të 1949 Çekosllovakia gjendej nën regjimin komunist i cili kishte asgjësuar
të gjitha partitë e tjera që kishin marrë pjesë në formimin e Republikës së Tretë
në vitin 1945. Pikërisht në këtë kohë në fshatin Çihosht ndodhën disa ngjarje të pazakonta.
Famullitari Atë Jozef Tufar dhe besimtarët, për tri herë me radhë, ( me 11, 24 dhjetor
1949 dhe 8 janar 1950) deklaruan se kishin parë një kryq që sillej përqark vetvetiu
duke kallëzuar vazhdimisht drejtimin e Perëndimit. E ashtuquajtura “Mrekulli e Çihoshtit”
zgjoi tërbimin e autoriteteve komuniste që urdhëruan mbylljen e kishave, të shoqëruara
këto me arrestime dhe shpronësime, ndërsa famullitari Jozef Tufar u fut në burg, ku
përpara se të vdiste u torturua. Pikërisht në këtë periudhë përfaqësia diplomatike
e Vatikanit u shpall e padëshirueshme dhe si e tillë u dëbua nga vendi.
Pas
dyzet vjetësh komunizëm Republika Federale Çeke dhe Sllovake, i rivendosi marrëdhëniet
diplomatike me Selinë Shenjte me 19 prill 1990. Me 21-22 prill 1990 Gjon Pali
II në kuadër të Shtegtimit të 46 të tij Apostolik vizitoi Republikën Federative. Mbeten
të paharruara fjalët e tij kur mbërriti në Pragë: “Jeta e kombeve të Evropës Qendrore
dhe lindore ka qenë deri tani, nga shumë pikëpamje e parealizuar për shkak të zbatimit
të dhunshëm të idelogjisë materialiste, që nuk përkonte me traditat shpirtërore dhe
as me kërkesat e kohës në këtë prag të mijëvjeçarit të ri. Këto kombe kanë nevojë
ta marrin veten e të përtërihen, jo vetëm në kuptimin politik dhe ekonomik, por edhe
në atë shpirtëror dhe moral.”
Republika Çeke. Mbas ndarjes me mirëkuptim
të Çekisë dhe Sllovakisë, Selia Shenjte e njohu Republikën Çeke si të tillë me 1 janar
1993. Që nga ajo ditë marrëdhëniet diplomatike kanë vijuar normalisht. Ambasadori
i tashëm i Republikës Çeke, Pavel Voshalik i paraqiti Benediktit XVI letrat e tija
kredenciale më 27 shtator 2008. Gjithashtu më 25 korrik 2002, pas gati dy vjetësh
bisedime, në Pragë u firmos “Pakti ndërmjet Selisë Shenjte dhe Republikës Çeke për
rregullimin e marrëdhënieve reciproke”. Tani pritet miratimi i kësaj marrëveshjeje
nga Dhoma e Deputetëve të Republikës Çeke.