2009-09-26 19:05:05

Ati i Shenjtë e këshilloi klerin çek të dialogojë me shoqërinë e të kujdeset për formimin e rinisë


(26.09.2009 RV)Dita e sotme e vizitës së Atit të Shenjtë në Republikën Çeke përfundoi me lutjen mbrëmësore në Katedralen e shën Vitos në Pragë, në praninë e ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve, seminaristëve e lëvizjeve të laikëve. Papa kujtoi reliket e martirëve që ndodhen në këtë kishë: shën Vito, por edhe shën Vençeslau e shën Adalbertit, shën Gjon Nepomuçeni e të tjerë martirë, të vjetër e të rinj, që dhanë jetën për Krishtin.
Pikërisht prej heroizmit të tyre duhet të rilindë lidhja personale dhe e thellë e Kishës postkomuniste çeke me Krishtin. Aty duhet gjetur energjia shpirtërore për të realizuar vokacionin e krishterë. “Vetëm dashuria e Krishtit e bën të vlefshme veprimtarinë apostolike, sidomos në momentet e vështirësisë e të sprovës” – i tha Benedikti XVI klerit katolik, të cilin e ftoi të imitojë Mësuesin Hyjnor, që nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer.
Në krizën e vlerave shpirtërore, që ka përfshirë shoqërinë çeke, theksoi Papa, është i nevojshëm urgjentisht një impenjim më i madh nga Kisha për të përforcuar vlerat shpirtërore e morale. Shkollat katolike të promovojnë respektin për njeriun, të ndiqen të rinjtë edhe jashtë shkollave, pa harruar të tjerët, sepse Krishti është për të gjithë. Të bashkëpunohet me institutet publike e private, pa kërkuar privilegje, por duke u vënë në shërbim të të gjithëve. Këto ishin këshillat e Papës, që pati një fjalë të veçantë për çdo kategori të klerit e sidomos për seminaristët, të cilëve u kërkoi të kenë një formim të qëndrueshëm kulturor, shpirtëror e baritor. Shembulli për t’u ndjekur në këtë Vit Meshtarak, është shën Gjon Maria Vianej, Famullitari i Shenjtë i Arsit, të cilit i kushtohet viti.
Nesër, Papa Benedikti XVI do të shkojë në Brno të Moravisë për Meshën dhe Lutjen e Engjëllit të Tënzot e do të kthehet sërish në Pragë për aktivitete, që do t’i pasqyrojmë gjerësisht në emisionin tonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.