2009-09-25 16:57:44

Papa në takim me ipeshkvijtë e Brazilit grupit Verilindje flet për familjen në realitetin e sotëm të vështirë shkaktuar nga divorci e bashkëjetesa.


(25.9.2009 RV)Sot paradite në Kastel Gandolfo, Papa priti në audiencë një grup tjetër ipeshkvijsh të Konferencës ipeshkvnore të Brazilit, atë të pjesës Verilindje 1-4, me rastin e vizitës së tyre ‘ad Limina ‘ në Vatikan. Në fjalimin e tij drejtuar ipeshkvijve të Brazilit, Ati i Shenjtë Benedikti XVI foli për indin shoqëror të “minuar” nga dukuritë negative “ që duket se po orvaten të shkatërrojnë djepin natyror të jetës njerëzore”, familjen e themeluar mbi martesën.
“Një situatë shtetrrethimi”: kështu u shpreh Papa duke folur për kushtet në të cilat jeton sot familja:
“..ndërgjegjja e përhapur në botën e shekullarizuar përjeton paqartësinë më të thellë që kur shoqëritë perëndimore e kanë legalizuar divorcin”. Kështu pohoi Papa duke kujtuar se “janë në rritje bashkimet e faktit dhe divorcet”. Benedikti XVI flet për “një gjendje brishtësie në të cilën konsumohet drama e shumë fëmijëve, të privuar nga mbështetja e babait, viktima - thotë - të situatës së vështirë, të braktisjes e të përhapjes së çrregullimit shoqëror”.

Papa shpjegon konkretisht se ajo, që ai e quan “familje të zgjeruar e të lëvizshme”, i shumëfishon baballarët e nënat. E “ky fakt - shton Papa - bën që pjesa më e madhe e fëmijëve të këtyre familjeve të ndjehen jetimë, jo pse janë bij pa babë, por sepse janë bij të shumë, madje të tepër baballarëve”. E tërë kjo - pohon Papa - krijon “konflikte e konfuzione të brendshme”.
Më tej i çon fëmijët drejt idesë së shtrembëruar e të falsifikuar të familjes, e cila kuptohet kështu si një formë bashkëjetese. E lidhur me bashkëjetesën Papa shpjegoi se kjo lind nga ndjenja e “subjektivizmit individual” dhe bart në vetvete “premisat e brishtësisë e të paqëndrueshmërisë”. Benedikti XVI pohon se kështu personat “ mashtrohen e ngashënjehen (joshen) nga stili i një jete që është fryt i relativizmit”.

E Papa u shpjegoi ipeshkvijve të Brazilit se “me tërë mirëkuptimin që mund të kemi për disa situata”, duhet të kujtojmë se “çiftet e bashkimit(martesës) të dytë nuk do të jenë kurrë si çiftet e bashkimit(martesës) të parë” e se “bashkimet e dyta përjetojnë një situatë të parregullt e të rrezikshme, e cila është e nevojshme të zgjidhet duke i qëndruar besnik Krishtit dhe me ndihmën e një meshtari, për t’i shpëtuar ata që janë të përfshirë në të”.







All the contents on this site are copyrighted ©.