2009-09-25 17:53:01

Papa do të shkojë në Fatima më 13 maj të vitit 2010, në përvjetorin e dukjes së parë të Virgjërës Mari. Gëzimi i ipeshkvijve portugezë.


(25.9.2009 RV)Shprehim gëzimin tonë për vizitën e Benedikti XVI në Portugali në vitin 2010: kështu shkruan presidenti i Konferencës ipeshkvnore portugeze, kryeipeshkvi i Bragas, Zhorzh Ferreira da Kosta Ortiga, pas njoftimit që u dha nga ana e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit se Papa e ka pranuar ftesën e ipeshkvijve e të presidentit të republikës për të vizituar Portugalinë.

Papa Benedikti XVI do të kryesojë ceremoninë e ditës së 13 majit të vitit 2010, në Fatima, në përvjetorin e dukjes së parë të Zojës së Bekuar. “Dashuria e katolikëve të Portugalisë ndaj pasardhësit të Shën Pjetrit - lexohet në një deklaratë të kryeipeshkvit Zhorzh Ferreira da Kosta Ortiga - është elementi kyç i traditës sonë katolike dhe i besnikërisë sonë ndaj Kishës”. Vizita e Benediktit XVI, programi i së cilës ende nuk është vendosur, shkruan akoma primati i Portugalisë, “do të jetë një rast për të thelluar e shprehur këtë dëshirë të bashkimit tonë me Bariun Universal”. Presidenti i Konferencës ipeshkvnore i fton “të gjitha bashkësitë katolike ta përgatisin këtë vizitë, duke jetuar thellësisht bashkimin kishtar”. “Zoja jonë, të cilën populli portugez e do me përzemërsi të veçantë - vijon - do të jetë Nëna e mirësisë, që na fton të zhytemi në Jezu Krishtin e në misterin e Kishës”. “Jemi të bindur - përfundon prelati - se populli portugez në përgjithësi, pavarësisht nga ideologjia e feja, do të dijë të presë atë që ka qenë e mbetet një profet i vlerave, kaq themelore e urgjente, si ato të paqes e lirisë, të dialogut, të drejtësisë e vëllazërimit”. Ky udhëtim i Benediktit XVI do të jetë i pesti shtegtim i një Pape në shenjtëroren e Zojës së Bekuar në Fatima, pas shtegtimit të Palit VI më 1967 e tri shtegtimeve të Gjon Palit II më 1982, 1991 e 2000. Kur ishte kardinal, Papa Racinger ka udhëhequr shtegtimin ndërkombëtar të tetorit të vitit 1996 në Fatima.







All the contents on this site are copyrighted ©.