2009-09-25 18:36:15

Atë Zef Pllumi OFM gjiganti i qëndresës në përvjetorin e vdekjes


(25.9.2009 RV)RealAudioMP3 Sot bie dy vjetori i kalimit të françeskanit shqiptar Atë Zef Pllumit në amshim. Ky dëshmitar i paepur i Zotit dhe i kombit na la faqe të mrekullueshme të historisë së Ungjillit të shpresës e të qëndresës së vërtetë shqiptare. Hyji Atë e thirri pranë vetes shumë të dashurin Atë Zef Pllumin, si sot dy vite më parë pikërisht si sot më 25 shtator 2007 në spitalin romak “Gemelli”, por në mendje e në zemra tona si dhe të atyre që e kanë njohur nga afër, ky gjigant i Kishës e i Kombit Shqiptar, është i gjallë përgjithmonë. Edhe ne të Programit të Shqip të Radio Vatikanit, ruajmë jo pak kujtime personale të paharrueshme të takimeve e bisedave që kemi pasur me Atë Zef Pllumin, gjatë qëndrimit të tij në Romë e në Vatikan si dhe gjatë vizitave tona në Shkodër e në Shqipëri.
Me rastin e dy vjetorit të kalimit të tij në shtëpinë e Atit Qiellor, duam të vëmë edhe një herë në dukje, dëshminë e shndritshme të fesë, të kulturës e të atdhedashurisë që na la ky Patër Françeskan heroik – siç paraqitej me shumë dashamirësi Atë Zef Pllumi.
Nuk do të harrojmë dëshminë tejet të çmueshme të atij kalvari, pjesë e të cilit ishte edhe personalisht Atë Zefi, që përjetoi populli shqiptar, kisha, kleri e Vendi mbarë në periudhën e errët të diktaturës komunist në Shqipëri. Nuk do ta harrojmë aftësinë e tij të leximit të së kaluarës e të së sotmes dhe të dialogut e të afërsisë që kishte me gjithkënd. Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta tokësore, Atë Zef Pllumin e kujtojmë me admirim e mirënjohje, ndërsa në mendje tonë na kthehen vizionet e tij të mëdha, plotë shpresë, plotë dashuri e fuqi ungjillore që ua transmetonte të gjithëve.
Atë Zef Pllumi ende sot mungon, i mungon Etërve Françeskanë, i mungon Kishës, botës së kulturës e shoqërisë shqiptare për vlerat që mishëronte e dëshmonte me bindje e thjeshtësi, me kujtesë të saktë e largpamësi. Ai konsiderohet me të drejtë si ndërgjegjja e një treve dhe historie të tërë. Personalisht pati një jetë shumë të dhimbshme, plot vuajtje dhe sakrifica, por gjithmonë e kurdoherë besnik ndaj Fjalës së Zotit dhe bindjeve të fesë, ideve kulturore e kombëtare të cilat diti t'i ruaj për rreth tre dekadave të burgjeve komuniste e t’i sjell nga errësira në dritë, nga vuajtja në liri, nga vdekja në ringjallje, siç dëshmoi personalisht Atë Zefi në mikrofonin e Radio Vatikanit. Ja pra një fragment nga një intervistë që Atë Zef Pllumi dha për programin shqip të Radio Vatikanit......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.