2009-09-24 16:45:28

Videomesazh i Benediktit XVI në Konferencën e OKB-së mbi klimën: krerët e botës të bashkohen për të mbrojtur botën


(24.09.2009 RV)RealAudioMP3 Krerët e shteteve të veprojnë me guxim për të mbrojtur dhuratën e çmuar, që na ka dhënë Zoti kur krijoi botën: kjo është thirrja, që Papa Benedikti XVI u drejtoi pjesëmarrësve të Konferencës së rëndësishme mbi klimën, e cila po zhvillohet në Nju Jork. Teksti i videomesazhit ripodhon atë që Ati i Shenjtë tha në audiencën e përgjithshme të 26 gushtit të kaluar, gjatë së cilës i kushtoi mjaft hapësirë temës së mbrojtjes së ambientit.
Është e rëndësishme, shpjegon Papa, që bashkësia ndërkombëtare dhe qeveritë t’u japin qytetarëve një sinjal të qartë e të gjejnë masat e përshtatshme për t’iu kundërvënë shfrytëzimit pa kriter të ambientit:
The economic and social costs…
“Kostoja ekonomike dhe shoqërore në përdorimin e burimeve të përbashkëta – nënvizon Benedikti XVI – duhet të bëhet e ditur me trasparencë, duke pasur kujdes për brezat e ardhshëm”. Mbrotja e ambientit, ruajtja e pasurive botërore dhe kujdesi për ndryshimet e klimës, këshillon Papa Racinger, t’i detyrojë të gjithë krerët e globit të veprojnë sëbashku, duke respektuar të drejtat e njeriut e duke nxitur solidaritetin me zonat më të dobëta të botës:
Together we can build an integral human…
“Sëbashku mund të arrijmë një zhvillim njerëzor të plotë, nga i cili të përfitojnë të gjithë, sot e në të ardhmen”. E duke cituar Enciklikën e tij të fundit “Caritas in Veritate”, Ati i Shenjtë thekson se është e nevojshme që modeli aktual i zhvillimit të shndërrohet përmes ndjenjës së përgjegjësisë për Krijimin. Kjo kërkohet jo vetëm nga faktorë ambientalë, por sidomos, nga skandali i urisë dhe i mjerimit njerëzor. Benedikti XVI siguron mbështetjen e tij për këtë Konferencë të OKB-së, duke kujtuar se Kisha i konsideron çështjet ambientale ngushtësisht të lidhura me zhvillimin e plotë njerëzor.







All the contents on this site are copyrighted ©.