2009-09-24 18:03:53

Takimi i G20 në Pitsburg, me 24 e 25 shtator.


(24.09.2009 RV)RealAudioMP3 Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë që u mbyll me rezolutën për çarmatimin dhe mospërhapjen e armëve bërthamore, udhëheqësit e G20 u nisën për në Pitsburg, një qytet tjetër amerikan ku me 24-25 shtator, do të diskutohet “për përparimet e bëra pas takimit të Uashingtonit dhe Londrës dhe mbi veprimet e mëtejshme që duhen ndërmarrë për të siguruar një zhvillim të vrullshëm të ekonomisë dhe të financave pas krizës më të fundit”.
Në mikrofonin e Radio Vatikanit flet Xhanfranko Vjesti, docent i Politikës Ekonomike pranë Universitetit të Barit:

Përgjigje: Theksi kryesisht do të vihet mbi energjinë dhe klimën. Bisedimet kanë si qëllim harmonizimin e kërkesave të ndërmarrjeve, veçanërisht në këto çaste krize dhe vështirësie ekonomike, me perspektivat e sigurimit të burimeve të lëndëve të para që kanë më pak probleme shfrytëzimi në një periudhë afatgjatë. Nga ana tjetër kemi bisedimet për problemin e madh të reduktimit të gazrave ndotëse. Siç nënvizoi kohët e fundit presidenti Obama, kjo është një çështje që ka të bëjë me të ardhmen jo të largët të të gjitha vendeve.

Pyetje: SHBA nxisin për përpjekje të reja për reduktimin e çekuilibreve ekonomike botërore në mënyrë që të parandalohet një tjetër krizë financiare si kjo e tashmja. Cilat janë sipas jush pengesat kryesore ndaj këtij qëndrimi?

Përgjigje: Pengesat kryesore të çekuilibrit gjenden brenda vetë sistemit amerikan që është një sistem me borxh privat shumë të lartë dhe si rrjedhojë ka një nivel konsumi dhe importi që nuk i përgjigjet realitetit ekonomik. Faktori kryesor i çekuilibrit është pra, dinamika e konsumeve në SHBA, e cila duhet moderuar. Kjo është një gjë e mirë sepse mund të zbusë edhe çekuilibret tregtare, por natyrisht do të thotë se kur amerikanët konsumojnë më pak atëherë edhe eksporti i ynë në atë vend do të zvogëlohet.

Pyetje: Lindur në 1999, G20 përfshin nëntë të dhjetat e ekonomisë botërore, dy të tretat të popullsisë së planetit. Në këtë takim marrin pjesë udhëheqësit e vendeve që po zhvillohen por mungojnë ata të vendeve të botës së tretë. Kjo është një mungesë që bien në sy, apo jo?

Përgjigje: Po, porse të merrësh vendime me shtete të tilla si India, Kina dhe Brazili është një hap i madh përpara. Do të thotë të sigurosh mirëkuptimin jo vetëm të vendeve të industrializuara me kohë, por edhe të vendeve që po shfaqen si fuqi të reja ekonomike në botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.