2009-09-24 16:48:55

Papa lavdëron Jezuitët e Japonisë për botimin e Enciklopedisë Katolike në gjuhën japoneze.


(24.9.2009 RV)RealAudioMP3 “Një bashkëpunim i mrekullueshëm” që zgjati gati tridhjetë vjet ka mundësuar përpilimin e kat vëllimeve të “Enciklopedisë së re Katolike në gjuhën japoneze”, e cila iu paraqit dje Papës në mbarim të audiencës së përgjithshme në Vatikan. Kështu pohoi kryeipeshkvi jezuit imzot Xhiuzepe Pittau, promotor i kësaj nisme në bashkëpunim me universitetin e Jezuitëve Sophia University të Tokios, duke nënvizuar se kjo vepër është realizuar me pjesëmarrjen dhe kontributin e katolikëve, të protestantëve e studiuesve jo të krishterëve dhe mes tjerash “paraqet në detaje Koncilin e II të Vatikanit si dhe realitetin e Kishës katolike sot”.
Vepra, shkruan gazeta “l’Osservatore Romano” është botuar nën kujdesin e jezuitit japonez Shuniki Takayanagi, anëtar i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar dhe anëtar i Komisionit luterano-katolikë e anglo-ekumenik të Japonisë. Përpilimi i Enciklopedisë së re Katolike në gjuhën japoneze filloi në vitin 1981. Çdo vëllim ka 1500 faqe e janë dashur gati tridhjetë vjet për të kompletuar punën.
Japonia është një Vend modern e liberal, jo i krishterë e jashtëzakonisht tolerant me të krishterët, katolikët, protestantët e ortodoksit të cilët janë rreth 1% e popullsisë. Mirëpo edhe pse të krishterët në Japoni janë pakicë, krishterimi ka ndikim në jetën intelektuale e në veprat shoqërore. Krishterimi këtu respektohet e konsiderohet si feja më e mirë. Ky fakt shpjegon edhe kërkesën e madhe që ekziston për një enciklopedi katolike.
Së fundi shtojmë se pjesa më e madhe e autorëve të enciklopedisë së re katolike janë me kombësi japoneze e të tjerët, janë studiues të huaj që banojnë prej një kohe të gjatë në Japoni. Në frymën e dialogut e të ekumenizmit, vepra përmban edhe tema e artikuj mbi protestantizmin dhe tekste të rëndësishme e me vlerë të studiuesve protestantë si dhe të atyre që nuk janë të krishterë. Edhe shtëpia botuese nuk është fetare, por merret me botime të rëndomta.
Enciklopedia e re u botuat një gjysmë shekulli pas enciklopedisë katolike në 5 vëllime botuar ndërmjet viti 1940 e 1960, duke pasur parasysh ndryshimet shoqërore, ato në fushën e gjuhës e të ortografisë japoneze, si dhe ndryshimet në Kishë me Koncilin e II të Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.