2009-09-24 16:45:13

Kardinali Shpidlik: Papa në Republikën Çeke për një Evropë të bashkuar shpirtërisht


(24.09.2009 RV)RealAudioMP3 Vlojnë përgatitjet e fundit për udhëtimin apostolik të Papës Benedikti XVI në Republikën Çeke. Nga data 26 deri më 28 shtator, Ati i Shenjtë do të vizitojë Pragën, Brnon e Stara Boleslavin, ku është martirizuar Pajtori i kombit, shën Vençeslau.
Praga është një nga qytetet më të bukura të botës: shtrihet mbi shtatë kodra dhe përshkohet nga lumi gjarpërues Moldava, ujrat e të cilit flasin për një të kaluar të lavdishme e për një fe të përkthyer në art në stilin romanik, gotik dhe barok. Perlë e vogël e Evropës! Në këto troje, mëse njëmijë vjet më parë, filluan misionin e tyre vëllezërit Çiril e Metod, të cilët ndërtuan urat e para ndërmjet botës hebraiko-greko-latine dhe asaj sllave, duke shpikur alfabetin përmes të cilit këto popullsi mundën të lexonin Ungjillin në gjuhën e tyre.
Por dy vëllezërit nuk e patën të lehtë. Po ashtu, edhe ata që i imituan. Çekia është tokë martirësh: Shën Vençeslau u vra, sepse me Ungjillin vinte në dyshim interesat e të pushtetshmëve; Shën Ludmillës, nënës së Vençeslaut i futën duart në fyt vetëm sepse jepte këshilla “të krishtera”; Shën Adalbertin e qëlluan me shtizë pasi kishte shpallur se Jezusi është Zoti i mishëruar; Shën Gjon Nepomuçeni u la të mbytej në lumin Moldavë, sepse nuk deshi t’i thoshte mbretit sekretet që njerëzit ia kishin besuar në Rrëfyestore; Shën Gjon Sarkanderi u torturua e u vra, pasi gjatë luftrave fetare nuk mbante anën e askujt, por donte vetëm të ishte në paqe me Zotin.
Tokë dhimbjesh dhe ringjalljeje: në Brno, në burgun fortesë të Spilbergut, patrioti italian Silvio Peliko, pas tetë vjet vuajtjesh, rigjeti fenë dhe i fali persekutuesit, duke shkruar “Burgjet e mia”, traktati i parë mbi të drejtat e të burgosurve.
Tokë e dhunuar nga dy diktatura: ajo naziste e ajo komuniste, të cilat patën pretendimin e rremë të ndërtonin një botë kundër Zotit e pa Zotin. 20 vjet më parë binte regjimi filosovjetik, që mendonte se do t’i zgjidhte shqetësimet e njeriut vetëm në planin ekonomik e material. E pikërisht 20 vjet më parë, Papa Gjon Pali II kanonizonte shën Anjezen, princeshë boheme, që në shekullin XIII u shpërndau të varfërve gjithçka kishte për të ndjekur Krishtin në kryq. Ndoshta diçka më pak e logjikshme, por shumë më tepër bindëse.
Shqetësimet e njerëzimit janë përshkruar më së miri nga një shkrimtar i madh, që ka lindur në Pragë, nga Franc Kafka, i cili ka jetuar ndërmjet 1800-ës dhe 1900-ës. Në veprat e tij (Metamorfoza, Procesi, Kështjella) njeriu sundohet nga një faj i mistershëm, që duhet të lajë pa e ditur psenë. Një e keqe pa fund, që e shtyp jetën në ditë pa kuptim. Papa Gjon Pali II, në tri udhëtimet e tij në këtë vend, shpalli të Vërtetën që çliron nga kjo peshë e padurueshme e nga dhuna që vjen prej saj, shpalli mëshirën e Zotit. E cila duhet ndjekur nga falja e njeriut. E kështu, kërkoi falje dhe ofroi falje: për vuajtjet e shkaktuara, si në rastin e Jan Husit, reformatorit bohem të djegur në vitin 1415, e për vuajtjet e pësuara. Falja e Zotit i përket një logjike tjetër, ka tjetër gramatikë dhe ngjall mendime e veprime krejtësisht të reja. E sidomos ka kohën e vet të mistershme për të prodhuar fryte, që njerëzimi i pavëmendshëm, me shpejtësinë me të cilën ecën, as që i vëren. Benedikti XVI shkon në Republikën Çeke në gjurmët e Gjon Palit II, duke bërë thirrje për të mos pasur frikë, për të mos dyshuar, për t’u nisur nga feja: koha është e Zotit. Mullinjtë e Zotit – thotë një fjalë e urtë çeke – bluajnë me avash, por e bëjnë shelegun dash.
Një nga personalitetet më në zë të Kishës çeke është kardinali Tomash Shpidlik, lindur 90 vjet më parë në Brno të Moravisë. Jezuit, i dënuar me punë të detyruar më parë nga nazistët e më pas nga komunistët, u bë meshtar në moshën 30 vjeç, në mesin e vështirësive. I njohur për studimet e librat mbi përshpirtërinë e Kishave të Lindjes, jeton e punon në Qendrën Aleti të Romës. Që prej 50 vjetësh bashkëpunon me Radio Vatikanin, përmes një meditimi, që transmetohet të premten. Papa Gjon Pali II e krijoi kardinal në vitin 2003. Pikërisht atij i kërkuam një mendim për këtë vizitë të Benediktit XVI:
“Gjon Pali II erdhi këtu 20 vjet më parë, kur ra muri i Berlinit e me të edhe komunizmi, që ia la vendin Evropës së re. Gjon Pali II pohoi se qëllimi i vizitës së tij ishte të punonte për bashkimin shpirtëror të Evropës. Benedikti XVI vjen 20 vjet më pas e vjen pikërisht në Pragë, që është qendra gjeografike e Evropës. Kjo vizitë e re e Papës na bën të mendojmë: duhet ta bashkojmë Evropën shpirtërisht. Udhëtimi i Papës nuk është politik, por shpirtëror. Çekët janë popull me origjinë lindore, që kanë jetuar 2000 vjet më parë në qytetërimin e kulturën perëndimore. Kështu, ata mund t’i pajtojnë këto dy mentalitete, që Evropa, e cila për shumë kohë ka qenë e ndarë më dysh, të rikthehet në një Evropë të vetme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.