2009-09-24 11:02:18

Imzot Ravazi: komunikatorët e Kishës t’i tërheqin të rinjtë tek Bibla e ta bëjnë Shkrimin Shenjt të kuptueshëm për atë


(23.9.2009 RV)Me imzot Xhanfranko Ravazin, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës vazhdojmë bisedën mbi sfidat e botës së globalizuar. Ndër sfidat më interesante e të rëndësishme sot është padyshim komunikimi, si në shoqëri po kështu edhe në Kishë, e cila ka për qëllim t’u kumtoi e komunikoi njerëzve Fjalën e Zotit, Biblën.
Imzot Ravazi, çka duhet të bëjnë komunikatorët e Kishës për t’i tërhequr të rinjtë tek Bibla e për ta bërë Shkrimin Shenjt të kuptueshëm për atë, që ju e quajtët ‘gjuha e re’ e njerëzve të rinj?

"Dëshiroj të propozoj tri rrugë. Rruga e parë është të kujtojmë se Bibla ka prirjen të përdorë gjuhën simbolike. Krishti flet me shëmbëlltyra. 32 shëmbëlltyra që bëhen 72 e që konsiderohen edhe si metafora tejet të zhvilluara ose similituda. Prej këndej, mund të rikthehemi tek gjuha e Biblës, ta propozojmë këtë gjuhë, duke vënë theksin mbi simbolet e saj. I riu i sotëm është mësuar me një gjuhë pamore, si për shkak të internetit, që e çon detyrimisht në këtë rrugë, ashtu edhe sepse televizioni tashmë ka fituar hegjemoni absolute. Rruga e dytë: t’u tregojmë se në Bibël gjinden të gjitha çështjet, të gjitha pyetjet, nga më të zakonshmet, tek më urgjentet. Në se na duhet të zgjedhim një fragment, mjafton të kujtojmë Këngën e Këngëve, Librin e Jobit, Librin e KIshtarit e edhe Predikimin në mal. Solla katër shembuj, që shprehin situata krejt të ndryshme: misterin e së keqes, lumturinë e gëzimin e dashurisë, ndjesinë e krizës e mrekullinë e dhurimit e të jetës. Elementi i tretë: gjuha biblike është, në radhë të parë, gjuhë e simboleve. Gjuhë që ka vijuar të shkruhet në shekuj, është përdorur në përkthime (e këtu kujtoj rëndësinë e përkthimeve në gjuhën e të rinjve), por edhe në artet figurative. E gjejmë në historinë e artit, në të gjitha format e saj; edhe në historinë e kinemasë. Kam parasysh artin bashkëkohor. Le të mendojmë ç’do të thotë ta shpjegosh Ungjillin e Mateut, duke përdorur edhe Pazolinin; Ungjillin sipas Mateut të Pazolinit: kjo është një mënyrë, pa përmendur, pastaj, historinë e artit, që është tejet e pasur. E në se dua të shpjegoj Zbulesën e Shën Gjonit, bah, mund të marr “Vulën e Shtatë” të Bergman-it. Kështu të rinjtë do të mësohen të rifitojnë shijen e asaj kulture, e cila merret vetëm në shkollë, e nganjëherë, as atje. Ja pra, këto janë tri rrugët: rruga e simbolit, e temave dhe e gjuhës".







All the contents on this site are copyrighted ©.