Ditëlindja e 104-të e jezuitit misionar, Atë Jak Gardin
(24.09.2009 RV)Atë Giacomo Gardin, që shqiptarët e njohin me emrin Patër Jaku,
lindi në Prodolone të San Vito Taliamento, në krahinën Pordenone, më 24 shtator 1905.
Më 12 nëntor 1923, në moshën 18 vjeçare, hyri në Shoqërinë e Jezusit. Pas dy vjetëve
të noviciatit në Goricë dhe viteve të përgatitjes në filozofi, u transeferua në Kieri
(Torino), për të ndjekur kurset trivjeçare të filozofisë, sipas traditës së jezuitëve.
Më 1930 u nis për herë të parë në Shqipëri, ku për disa vite me radhë dha
mësim në Kolegjin Saverian. Gjatë këtyre viteve mësoi mirë gjuhën shqipe e njohu thellësisht
zakonet e vendit. U kthye në Kieri për të vazhduar studimet filozofike dhe këtu u
shugurua Meshtar më 15 korrik 1936 nga Kardinali Maurilio Fossati. Pastaj, ndërmjet
viteve 1937 e 1938 shkoi në Parei-le-Monial në Francë, për të kryer vitin e fundit
të rrugës së gjatë të përgatitjes për Shoqërinë e Jezusit, duke përfshirë edhe vitin
e tretë të provës. Më 2 shkurt 1941 Atë Gardin bëri kushtet e përjetshme.
Me këtë rast, në revistën “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit” (Korrik 1941, fq. 202-205)
u botua vjersha e nënshkruar me inicialet P. Gj., titulluar “Pagjë e dashtëní”, në
të cilën shkruhet. “Ty jetën t’kunorojnë / Pagja, dashtënia e gëzimi/ Ty shpirtin
ta naltojnë/ N’virtyte i shęjtë defrimi,/ E janë për ty dafina/ vuejtjet për qiellë
hyjrina//. Për 20 vjet me radhë vazhdoi veprimtarinë e vet misionare në Shqipëri:
dhjetë vjet si meshtar e pedagog, mik i dashur dhe tepër i nderuar i shqiptarëve në
Shkodër e në Tiranë; dhjetë vjet të tjera ndër burgjet komuniste, i akuzuar nga diktatura
si armik i përbetuar i popullit shqiptar. Më 1955, si rezultat i marrëveshjes
ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, mundi të rifitonte lirinë dhe të kthehej në atdhe.
Këtu shkroi librin “Dieci anni di prigionia in Albania” - “Dhetë vjet burg në Shqipni”
që u botua më parë italisht më 1988 në SHBA, e më pas u përkthye në gjuhën shqipe
nga Zef Nekaj e Petro Vuçani dhe u botua në Romë më 1992, taman atëherë kur Jezuiti
besnik ndaj misionit të tij, kthehej përsëri në Shqipëri për t’i shërbyer si Atë shpirtëror
rinisë katolike shqiptare e sidomos asaj rinie që, duke shprehur dëshirën të ndjekë
rrugën e meshtarisë, përgatitet në bankat e seminarit papnor të rilindur, për të vijuar
misionin e shenjtë e martirëve që derdhën gjakun për Krishtin në periudhën e komunizmit.
Shumë gjëra i kujton shqiptarëve emri i tij. I kujton Meshtarin e devotshëm, me cilësi
të jashtzakonshme për ta predikuar e për ta jetuar Ungjillin e Krishtit. I kujton
misionarin që u bë një me popullin, të cilit kishte shkuar t’i shërbente, që ndau
me këtë popull të mirën e të keqen, që vuajti për të, që e deshi aq, sa as sëmundja
e as mosha e shtyrë nuk e penguan të ishte ndër të parët që u kthyen, kur u duk se
po vinte pranvera e lirisë. Emri i Atë Gardin-it i kujton shqiptarëve mësuesin
e shquar, që për dhjetë vet rresht dha mësim në Kolegjin e famshëm të Jezuitëve. I
kujton njeriun e ekumenizmit, që edukoi vëllazërimin e dashurinë ndërmjet njerëzve,
pa dallim besimi. E i kujton edhe autorin e veprës “Dhetë vjet burgim në Shqipní”,
një ndër dëshmitë më të njohura mbi martirizimin e klerit e të popullit shqiptar,
që u shkrua e u botua kur Atdheu i dytë i jezuitit misionar rënkonte ende pas perdes
së hekurt. Përmes kësaj vepre Meshtari katolik tregonte me gisht para botës
krimet e diktaturës komuniste. Vepra në gjuhën italiane u botua më 1986 në Romë nga
“Civiltŕ Cattolica”, në gjuhën angleze, më 1988 në SHBA dhe në gjuhën shqipe, më 1992,
po në Romë. Vepra është përkthyer edhe në gjuhën kroate. Libri i Atë Gardinit,
që është konceptuar në pesë kapituj, të cilët flasin për: Arrestimin e proçesin; Gjendjen
e Kishës; Burgun; Kampin e pëqëndrimit dhe përfundimin e burgimit, ngjarje që shtrihen
në vitet 1945-1955. Mbyllet me predkun e Atë Gardinit në Meshën solemne të
Paqës me rastin e përkujtimit të 40-vjetorit të salvimit fetar në Shqipëri, kremtuar
në Kishën e Shën Injacit në Kaliforni më 13 prill 1985, pas të cilit radhitet Letra
që Shenjtëria e Tij, Gjon Pali II i drejton Atë Gardinit si dhe epilogu i veprës.
Përfundimi logjik në të cilin arrin Atë Gardin-i pasi rrëfen dhjetë vjetët e burgimit,
tingëllon si ftesë për reflektim, për të mos harruar se “Zoti nuk e turbullon kurrë
gëzimin e bijve të vet, pa pasur si qëllim t’u përgatisë një gëzim tjetër, edhe më
të madh!”.