2009-09-24 16:49:25

Benedikti XVI priti sot paradite, në Kastel Gandolfo, disa grupe ipeshkvijsh të Konferencës ipeshkvnore të Brazilit në vizitën 'ad Limina'.


(24.9.2009 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI priti sot paradite, në Kastel Gandolfo, disa grupe ipeshkvijsh të Konferencës ipeshkvnore të Brazilit të rajonit Verilindor 1 e Verilindor 4, me rastin e vizitës së tyre pesë vjeçare ‘ad Limina Apostolorum’, ndërsa pasdite priti një grup tjetër.
Ndër ta edhe kryeipeshkvi i dioqezës së Terezina imzot Sergjio da Hosha, i cili në mikrofonin e Radio Vatikanit flet për realitetin e veri-lindjes së Brazilit dhe sfidat më urgjente për Kishën vendore:

Veri-lindja e Brazilit është zona më e varfër e tërë Vendit, ku njerëzit jetojnë në situata shoqërore jashtëzakonisht të vështira e varfëria prek pjesën më të madhe të popullit tonë. Sipas mendimit tim, të ungjillëzosh popujt, është sfida kryesore në këtë pjesë të Brazilit. Megjithëse janë disa qytete në të cilat njerëzit jetojnë pak më mirë, në mënyrë të veçantë në kryeqytetin Brazělia e në qytetin e Fortalezës, kryeqytetin e shtetit të Kearŕs. Në këtë gjendje varfërie e nënzhvillimi, bëhet edhe më e vështirë mbështetja e klerit dhe mirëmbajtja e famullive kishtare. Mirëpo duhet thënë se jemi edhe rajoni më katolikë i Brazilit, me një fe popullore shumë të fortë, mirëpo nuk është lehtë të ungjillëzosh në mesin e një varfërie kaq të madhe, me një katolicizëm popullor e fshatar nga njëra anë dhe botën urbane në anën tjetër”.

Imzot Hosha, Kisha vendore çka është duke bërë për realizimin e misionit kontinental sipas “Dokumentit të Aparesidës”, dokument ky i rëndësishëm për Kishën e Amerikës Latine?

“Misioni kontinental përfaqëson një moment të veçantë të përtëritjes së fesë, të jetës së krishterë e të shpirtit misionar. Jemi duke u munduar ta promovojmë këtë frymë misionare në të gjitha bashkësitë tona e në të gjitha zonat baritore, për shembull në katekizëm, në baritorinë rinore, me familje. Duhet të dalim e t’i takojmë të gjithë njerëzit për të bërë që vet personat të bëhet dishepuj e misionar të Krishtit”.

Imzot Hosha, si i trajtoni çështjet kyçe siç është mbrojtja e jetës dhe e familjes?

“Mbrojtja e jetës dhe e familjes janë në qendër të ungjillëzimit. Një nismë në gjendje të promovoi mbrojtjen e jetës dhe të familjes është themelimi i komisioneve për mbrojtjen e jetës nëpër dioqeza apo famullitë kishtare së bashku me veprimtarinë baritore të familjeve. Promovimi dhe mbrojtja e jetës janë synimet qendrore të këtyre komisioneve. Ndër detyrat e ndryshme është edhe ajo e reflektimit dhe e formimit të ndërgjegjeje, e vlerës së jetës njerëzore në mediat - gazeta, radio, tv, në shkolla, në universitete si dhe në bashkësitë e krishtera”.







All the contents on this site are copyrighted ©.