“Dashuria e Krishtit është forca jonë”: Benedikti XVI do të shkojë të shtunën e ardhshme
në Republikën Çeke.
(23.09.2009 RV)U paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit programi i vizitës
së ardhshme apostolike të Benediktit XVI. Papa do të shkojë në Republikën Çeke nga
e shtuna, 26 shtator deri të hënën, 28 shtator, ditë në të cilën festohet Shën Vençeslau,
Pajtor i kombit. Motoja që do ta shoqërojë Atin e Shenjtë në udhëtimin e tij
të 13-të jashtë Italisë është “Dashuria e Krishtit është forca jonë”.
Në Republikën Çeke ka qenë tri herë edhe Papa Gjon Pali II, ndërsa Benedikti XVI e
ka vizituar Pragën në vitin 1992 si prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Sapo
të mbërrijë në kryeqytetin çek, të shtunën, Ati i Shenjtë do të shkojë në kishën e
Zojës së Fitores, ku ruhet shtatorja e famshme e Jezusit Fëmijë të Pragës. Pasdite
do të takohet me presidentin Vaclav Klaus dhe me autoritetet civile në kështjellën
e qytetit, ndërsa me ato kishtare në Katedrale. Të dielën, Papa do të fluturojë në
Brno, qyteti kryesor i Moravisë, ku do të kryesojë Meshën e do të thotë Lutjen e Engjëllit
të Tënzot në aeroportin lokal e sapo të kthehet në Pragë do të marrë pjesë në një
takim ekumenik në kryeipeshkvi e do të takojë botën akademike në kështjellë. Në ditën
e fundit, Benedikti XVI do të kremtojë Meshën në sheshin Melnik, në qytetin e lashtë
Starà Boleslav, thellësisht e lidhur me kultin e Shën Vençeslaut, i cili është martirizuar
në atë vend. Ky udhëtim i Papës – kujtoi zëdhënsi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi
– bëhet 20 vjet pas rënies së komunizmit e 20 vjet pas kanonizmit të shën Anjezës
të Pragës. Ambienti shoqëror i sotëm është fortësisht i shekullarizuar e pjesa më
e madhe e popullsisë çeke nuk e praktikon e as e deklaron fenë. Gjithashtu, ka disa
probleme në marrëdhëniet ndërmjet shtetit e Kishës. Kjo e fundit akoma është në pritje
të ratifikimit të një marrëveshjeje dhe të kthimit të pronave të sekuestruara nga
komunizmi. Prandaj, theksoi atë Lombardi: “Sigurisht që synohet të inkurajohet
Kisha të ndihet bartëse e gjallërisë, shpresës e bamirësisë në shoqërinë çeke, megjithëse
të shekullarizuar, në të cilën ndodhet”.