2009-09-22 16:55:01

“Eukaristia: bashkim me Krishtin e ndërmjet nesh”: është tema e zgjedhur nga Papa për Kongresin Eukaristik Ndërkombëtar të Dublinit 2012.


(22.09.2009 RV)RealAudioMP3 “Eukaristia: bashkim me Krishtin e ndërmjet nesh”. Është kjo tema, që Papa Benedikti XVI ka zgjedhur për Kongresin e 50-të Eukaristik Ndërkombëtar, i cili do të mbahet në Dublin nga data 10 deri më 17 qershor të vitit 2012. Lajmin e jep sot Komiteti Papnor, që merret me organizimin e kongreseve të tilla. Takimi përkon me festimin e 50-vjetorit të përurimit të Koncilit II të Vatikanit.
Në fakt, tema e zgjedhur nga Ati i Shenjtë frymëzohet nga Kushtetuta “Lumen Gentium”, e pikërisht nga fraza që pohon se “duke marrë pjesë realisht në korpin e Hyjit përmes thyerjes së bukës eukaristike, ngrihemi në nivelin e bashkimit me Të e ndërmjet nesh”. Ky kongres është i rëndësishëm edhe për Kishën në Irlandë.
Kryeipeshkvi i Dublinit, imzot Diarmuid Martin uron që mbledhja e Kishës universale në Dublin të ndihmojë që të kuptohet se Eukaristia është bashkim i vërtetë e personal me Jezu Krishtin e të rizbulohet fizionomia thelbësisht eukaristike e çdo bashkësie të krishterë. Në notën e Komitetit për organizimin e kongresit vihen në dukje edhe disa propozime të ipeshkvit Diarmuid Martin për temat që mund të shqyrtohen gjatë takimit, si: bashkimi me Krishtin si themel i ekzistencës së krishterë; Eukaristia si formë jete për meshtarët, për familjet e krishtera e për bashkësitë fetare; gjesti i “thyerjes së bukës” si parim i solidaritetit të krishterë; Eukaristia farë jete për botën e vuajtjes e të mjerimit; ekumenizmi dhe pjesëmarrja në të njëjtën bukë etj..







All the contents on this site are copyrighted ©.