2009-09-22 17:05:13

Thirrje e organizatave ndërkombëtare për të drejtat e emigrantëve


(22.09.2009 RV)U zhvillua dje në Romë një takim i organizatave ndërkombëtare në favor të të drejtave të emigrantëve. Tema e kësaj tryeze të rrumbullakët në Universitetin Tor Vergata ishte: “Njerëzit e historisë fqinje. Integrim, dialog, solidaritet e të drejta”. Morën pjesë ndër të tjera, organizata Amnesty International, Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatët, organizata “Save the Children” dhe Organizata Botërore për Emigracionin. Takimi u organizua nga fondacioni “O’Scia’”, i cili bën çdo vit në Lampeduza - ishulli italian ku zbarkojnë emigrantët që vijnë nga Afrika - një manifestim muzikor në favor të dialogut dhe të integrimit. Ideatori i këtij takimi është këngëtari i njohur italian, Klaudio Balioni.
Sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore për Emigracionin, personat që ikin nga varfëria e lufta në botë janë rreth 191 milion. Ndër ta, edhe shumë fëmijë. Të dëgjojmë një përfaqësuese të organizatës, Xhulia Falcoi:
“Fëmijët janë pjesa më e brishtë e emigracionit, por janë edhe shpresa e së ardhmes, pasi pikërisht brezat e rinj shërbejnë si urë kulturore ndërmjet vendit të origjinës e atij të destinacionit. Janë brezi mbi të cilin mund të ndërtohet një shoqëri shumëkulturore, e cila tashmë është realitet”.
Emigrantët kontribuojnë në zhvillimin ekonomik e shoqëror jo vetëm të vendit të tyre, por edhe të vendit që i pret, u tha në konferencë. Për shembull, falë tyre rritet popullsia dhe forca e re e punës, pa llogaritur paratë që dërgojnë në shtëpi, të cilat përmirësojnë gjendjen e vendit të origjinës. Të dëgjojmë zëdhënësin për Italinë të organizatës Amnesty International, Rikardo Nouri:
“Janë pasuri për tregun e punës; është një mundësi shkëmbimi, takimi, njohjeje dhe emigranti ka të drejtat e veta. Shpesh, kjo harrohet. Flitet për numra, për krahë pune, flitet për problemet, për kriminalitetin, duke cënuar humanitetin e personave”.
Kohët e fundit, Italia është kritikuar ashpër për kthimin e emigrantëve mbrapsht, pa verifikuar më parë nëse ata kanë të drejtë të kërkojnë strehim politik.







All the contents on this site are copyrighted ©.