2009-09-22 17:04:24

Me imzot Xhanfranko Ravazin, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës vazhdojmë bisedën mbi sfidat e botës së globalizuar: nga gjuha e internetit tek arti


(22.9.2009 RV)Me imzot Xhanfranko Ravazin, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës vazhdojmë bisedën mbi sfidat e botës së globalizuar. Ndër të rejat e sotme është padyshim gjuha, mjetet dhe mënyra e komunikimit mes njerëzve e sidomos të rinjve,përmes internetit. Njërën anë kemi dëshirën e madhe për të komunikuar me tjerët e në anën tjetër, njeriu nuk mund të mbetët i mbyllur në vetvete.
Imzot Ravazi, në këtë dritë, cilat janë detyrat parësore të Këshillit Papnor të Kulturës?........RealAudioMP3

"Pikërisht në gjurmët e gjithçka thamë më parë, do të kujtoj disa elemente, të cilave mendojmë se u duhet kushtuar vëmendje, analizë, impenjim. Në plan të parë, pa dyshim, është gjuha. Duhet të kuptojmë si komunikohet sot. Interneti është gjuhë e re. Duhet ta kemi mirë parasysh se kur ndryshon gjuha, ndryshon edhe mesazhi, siç thoshte në kohën e tij McLuan: mjeti e mesazhi. Kështu mos harroni se gjuha on-line është e ndryshme, nga ajo që përdoret në mënyrë të drejtpërdrejtë, është gjuhë e ftohtë. Prej këndej duhen dhënë udhëzime, për të shmangur rreziqet. Duhet të mendojmë për të rinjtë, që kalojnë orë e orë duke hyrë në muhabete të pafundme me të tjerët, në linjën çat (chat lines) 1.
Ja pra, këta të rinj po mësohen me një komunikim të akullt, që nuk është më komunikim i drejtpërdrejtë, sy për sy, duke e parë e madje edhe duke e prekur tjetrin. Duke komunikuar jo vetëm fjalët, por edhe ëndrrat e shpresat.
Jemi para një komunikimi, që mund të jetë plotësisht artificial (kujtojmë këtu përdorimin e blog 2 , apo të hapësirave për komunikimim në internet – fjalë gjithashtu e re). Ja pra, kjo është shenjë e qartë e asaj që thamë më parë e që vërteton se njeriu ia kalon gjithnjë njeriut. Në kuptimin se shoqëria bashkëkohore i izolon njerëzit, pavarësisht nga fenomenet masive. Internetin e përdorin të gjithë, po si e përdorin? Vetëm, në vetmi. Ja pra, blog–u është shprehje e nevojës për të komunikuar vetveten, në një botë, që është zhytur në vetmi e, për fat të keq, ky komunikim mbetet krejt i ftohtë; e megjithatë, është sinjal, që tregon se njeriu nuk mund të rrijë i mbyllur në vetvete, nuk është kurrë monadë, apo ide, nuk është kurrë portë e blinduar e shoqërisë bashkëkohore, sepse kjo nuk e shpreh nevojën e thellë të njeriut.
Ja pra, pse lindin jo vetëm blog-ët, por edhe vlog-ët, në kuptimin se duken edhe fytyrat, gjë që do të thotë se ndjehet nevoja për t’ia parë fytyrën njeriut me të cilin komunikon: Face-Book është një shembull, i cili dëshmon gjithnjë atë që thashë më parë, mallin për komunikim ndërpersonal. Kështu mund të themi se ky është një fenomen i veçantë, të cilin unë do ta quaja kulturë e re, domethënë kulturë bashkëkohore.
Ne e dimë se fjala kulturë u përdor për herë të parë në vitet ‘700. Në gjuhën gjermane ‘kultur’ quhej shoqëria e lartë, quheshin intelektualët, aristokracia, artet, muzika, filozofia e kështu me radhë. Ndërsa tani fjala kulturë përfshin edhe ekonominë, sociologjinë, antropologjinë, folklorin dhe studimin e tij, fenomenet shoqërore, madje edhe përshpirtërinë popullore.
Çdo fenomen, që ka një kuptim të caktuar në vetvete, që ka të bëjë me përpjekjet për të shprehur ndjenja e mendime njerëzore, quhet kulturë. E kjo, sipas mendimit tim, është fitore, sepse rikthehemi tek mendimi klasik mbi kulturën. Si e quanin grekët kulturën? E quanin Paideia, dmth edukatë, formim. Latinët e quanin humanitas, dmth humanizim i njeriut. Ja pra, parë në këtë dritë, mendoj se ne sot po interesohemi edhe për fenomene, që nuk i përkisnin kulturës së lartë. Për shembull, lidhur me ekonominë, mendojmë për një model ekonomik si ai, që propozon Amartia Sen ose Jozef Stigli, ose Mohamed Junuz, dmth këta ekonomistë, të gjithë Çmim Nobel, që shkruajnë – po citoj Sen: “Nuk mund ta quajmë më ekonominë teknikë financiare, teknikë monetare, teknikë bankare, modelistikë të zhvillimit.
Ekonomia është shkencë humanistike. Pse? Sepse interesohet për rregulla, siç e thotë vetë fjala ekonomi, apo për ligie, për oikia, për botën, për shtëpinë ku banojmë, shtëpitë e vogla e shtëpitë e mëdha, domethënë shoqëritë në gjirin e të cilave jetojmë. Prandaj mendoj se duhet të interesohemi për këto fenomene të reja kulturore, duke përfshirë edhe traditat popullore.
Përveç gjuhës e kulturave të reja, mendoj edhe për një element të tretë, tejet të rëndësishëm, për të mos e shlyer traditën e lartë kulturore: mendoj për përmasën e artit. Për artin: muzikën, pikturën skulpturën, kinemanë, televizionin, në shprehjet e tyre më të reja. E dimë se arti bashkëkohor ka një gjuhë, një gramatikë, krejtësisht të ndryshme nga ajo tradicionale, nga ajo e artit klasik.
Ja, pra, pse është e rëndësishme të dialogojmë: prandaj propozova (e Ati i Shenjtë pranoi) që më 21 nëntorin e ardhshëm Papa të takohet me artistët. Natyrisht mund të ftojmë vetëm një numër të vogël, përfaqësues, sepse nuk e dimë ende në se kjo do të realizohet. Gjithsesi Papa e vendosi pikërisht këtë datë. Do të marrin pjesë artistë nga mbarë bota, përfaqësues të të gjitha arteve shprehëse: nga kënga, tek muzika, arkitektura, piktura, skulptura, letërsia në përgjithësi, me poezinë e prozën, kinematografia…
Dëshirojmë që një takim i tillë të mbahet në Kapelën Sikstine, në mënyrë që të vihemi ballë për ballë me artin e përkryer të Mikelanxhelos e të shikojmë ç’të reja mund të sjellë ky dialog i ri, që për fat të keq, nuk ekziston akoma. Duhet të themi se me artin bashkëkohor është krijuar një cezurë. Një impenjim tjetër që kam marrë, është prania e Selisë së Shenjtë, me pavijonin e saj, në bienalen e Venedikut të 2011-tës, ku mendohet të ftohen disa nga artistët më të shquar të artit bashkëkohor, që nuk lidhen drejtpërdrejt me fenë, për t’i nxitur të bëjnë propozime për artin shpirtëror, simbolik, jo liturgjik tani për tani. Ja pra, edhe kjo është një përpjekje për dialog me kulturën, me artin bashkëkohor".







All the contents on this site are copyrighted ©.