2009-09-22 16:57:31

Klima në qendër të Asamblesë së OKB-së


(22.09.2009 RV)Në Nju Jork u hap sot takimi botëror mbi klimën. Se ç’do të ndodhë në botë me ngrohjen e shkaktuar nga njeriu, përmes të ashtuquajturave gaze serë, varet nga qëndrimi amerikan, indian e kinez. Samiti i organizuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun ka për qëllim të nxjerrë nga gjendja e stanjacionit bisedimet ndërkombëtare mbi këtë temë, duke pasur parasysh takimin e Kopenhagenit në dhjetor.
Pa dyshim, vëmendja sot u përqëndrua në presidentin amerikan, Barak Obama. Pas fjalimit të mbajtur në OKB, ku u duk qartë qëndrimi i ri i administratës amerikane ndaj klimës, Obama u takua me kryeministrin izraelit Benxhamin Netanijahu e më pas me presidentin palestinez, Abu Mazen. Në fund, takimi tripalësh synoi rifillimin e bisedimeve për paqen në Lindjen e Mesme. Obama dëgjoi më pas krerët e shteteve të Afrikës sub-sahariane dhe u takua me presidentin kinez Hu Hintao. Ja mendimi i sekretarit të përgjithshëm të organizatës “Action Aid”, Luka De Fraia:
India dhe Kina bëjnë pjesë në vendet që po zhvillohen ekonomikisht me shpjetësi, përmes një procesi të jashtëzakonshëm industrializimi. Prandaj, ato kontribuojnë më shumë në rritjen e emetimit të gazeve ndotëse të atmosferës. Këto vende nuk i pranojnë lehtë objektivat për reduktimin e emetimit të këtyre gazeve, pasi kjo do të përbënte pengesë për zhvillimin.
Po përsa i përket SHBA-ve?
Kujtojmë se SHBA-të, pikërisht pak muaj më parë morën vendime të rëndësishme për të reduktuar – për shembull – me 17% emetimet e gazit serë. Është një provë themelore për Obamën. Gjithsesi në Kopenhagen pritet të përcaktohet vetëm korniza e një marrëveshjeje, që mund të arrihet në muajt e mëvonshëm.
Ndërkaq, izraelitët po bëjnë presion që të bojkotohet fjalimi i presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhad në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ndërsa stafi i liderit të Libisë, Muhamar Gedafi mundohet t’i gjejë atij një rezidencë të denjë. Amerikanët nuk pranuan që Gedafi të banonte në tendën beduine, të cilën e merr gjithnjë me vete në takimet ndërkombëtare. Disa vetë të personelit u paraqitën si hollandezë për të marrë me qira një pallat në Nju Jork, por u zbuluan shpejt nga agjensia që merrej me praktikën.







All the contents on this site are copyrighted ©.