2009-09-21 14:52:44

Të kapërcehen gënjeshtrat dhe egoizmi në bashkësitë fetare e civile: kështu Papa në Engjëllin e Tënzot. Dhimbje për atentatin në Afganistan


(21.09.2009 RV)RealAudioMP3 Të kapërcehen gënjeshtrat dhe egoizmi në bashkësitë fetare e civile: kështu foli dje Papa në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, gjatë së cilës shprehu edhe dhimbjen e thellë për viktimat italiane të atentatit në Afganistan dhe lajmëroi nisjen për në Republikën Çeke. Benedikti XVI, i cili ndodhet akoma në Castelgandolfo, rezidenca e tij verore, denoncoi prirjen për të mos respektuar të vërtetën e për ta lënë veten në dorën e hakmarrjes e të urrejtjes. Në ditët e sotme – theksoi Ati i Shenjtë – shihet qartë kjo prirje për të mos e mbajtur fjalën e dhënë sëbashku me prirjen drejt agresivitetit e dhunës. Ndoshta kjo bën pjesë në disa lloj dinamikash brenda shoqërisë së masës, shpjegoi Papa më pas:
“Pse të mos marrim nga burimi i pastër i dashurisë së Zotit urtinë e zemrës, që na heq helmin e skorieve të gënjeshtrës e të egoizmit?”
Papa mori shkas nga Letra e Jakut në liturgjinë e djeshme, në të cilën kundërvihen urtia e dituria e vërtetë me atë të gënjeshtërt. Njëra është “tokësore, materiale, djallëzore”, tjetra “që vjen nga lart është e pastër, paqësore, e përvujtë, e mëshirshme, frytdhënëse dhe e sinqertë”:
“Ashtu si Zoti nga i cili vjen, dituria nuk ka nevojë të imponohet me forcë, pasi ka fuqinë e e pathyeshme të së vërtetës e të dashurisë, e cila afirmohet vetë. Prandaj është paqësore, e butë dhe e urtë; nuk mban anë, e aq më pak thotë gënjeshtra; është e dhembshur dhe bujare, njihet nga frytet e mira që prodhon me shumicë”.
Për të bërë vepra paqeje duhet të jemi njerëz të paqes, nënvizoi Benedikti XVI:
“Nëse secili, në ambientin e vet, do të arrinte ta hidhte poshtë gënjeshtrën e dhunën me mendime, fjalë e vepra, duke kultivuar me kujdes ndjenja respekti, mirëkuptimi dhe vlerësimi për të tjerët, ndoshta nuk do t’i zgjidhte të gjitha problemet e jetës së përditshme, por do t’i përballonte më qetësisht e më mirë”.
Pas lutjes mariane, Papa foli për situatat e konfliktit në botë e në veçanti përmendi gjashtë ushtarët italianë të vrarë në Afganistan nga talebanët. Kujtojmë se funerali i tyre shtetëror u kremtua sot në Romë, në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve, në një ditë zie për krejt Italinë. Ati i Shenjtë shprehu dhimbjen e tij të thellë për humbjen e rëndë:
“Bashkohem me lutjen dhe vuajtjen e familjarëve dhe të bashkësive civile e ushtarake e, njëkohësisht, mendoj me të njëjtat ndjenja për kontingjentet e tjera ndërkombëtare, të cilat kanë pasur viktima edhe kohët e fundit e që veprojnë për të nxitur paqen e zhvillimin e institucioneve, kaq të nevojshme për bashkëjetesën njerëzore”.
E Benedikti XVI nuk mungoi të bëjë një thirrje për krejt botën:
“Dëshiroj të rinovoj këtu inkurajimin për nxitjen e solidaritetit ndërmjet kombeve për t’iu kundërvënë logjikës së dhunës e të vdekjes, për të favorizuar drejtësinë, pajtimin, paqen e për të mbështetur zhvillimin e popujve, duke u nisur nga dashuria e mirëkuptimi i ndërsjelltë”.
E në fund të Lutjes së Engjëllit të Tënzot, dje në Kastelgandolfo, Ati i Shenjtë lajmëroi udhëtimin e ardhshëm apostolik në Republikën Çeke, ku do të shkojë nga data 26 shtator deri më 28 shtator, me etapa në Pragë, Brno, Moravi e në Stara Boleslav, vendi i martirizimit të shën Vençeslaut, Pajtori kryesor i kombit:
“Republika Çeke gjendet gjeografikisht dhe historikisht në zemër të Evropës e pasi kaloi përmes dramave të shekullit të kaluar, ka nevojë, ashtu si krejt kontinenti, të rigjejë arësyen e fesë e të shpresës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.