Imzot Xhanfranko Ravazin, kulturat e sotme e orientimi i njeriut drejt së vërtetës
(21.9.2009 RV)Sot me imzot Xhanfranko
Ravazin, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës vijojmë bisedën radiofonike, e transmetojmë
pjesën e 5-të të intervistës, Në shoqërinë tonë bashkëkohore njerëzimi interesohet
më tepër për çështje ekonomike, financiare se sa për përmasën shpirtërore të jetës
e këndej për botën fetare. Në këtë prirje e madje edhe orientim, përveç formimit individual
që ka çdo njeri, kemi edhe ndikimin e rrymave të ndryshme kulturore që e anashkalojnë
krejtësisht elementin fetare e shpirtëror. Imzot Ravazi, sipas jush, a nuk
ju duket se këto kultura të reja, që synojnë ta edukojnë njeriun material, në një
farë mase e zbehin vlerën e kulturës së vërtetë, e cila ka gjithnjë pikësynimin ta
lartojë shpirtin e njeriut?
Përgjigje: - Do të desha të kujtoj atë që
më thoshte një artist i madh bashkëkohor amerikan, një nga më të mëdhenjtë në tregun
e sotëm të artit: “Për fat të keq, ne tani na ngacmon dëshira juaj: të kthehemi e
të hyjmë në Kisha me artin e ri”. Pse? Sepse arti bashkëkohor, në tërësinë e vet,
përjashton dy elementet kryesore të artit të së kaluarës. Së pari, përjashton kërkimin
e bukurisë, së dyti, përjashton kërkimin e kuptimit të mesazhit. Është paraqitje e
ndjenjës, e realitetit shpërthyes, që shpërthen me kuptime ndoshta tejet të errëta.
Prandaj mendoj se një dialog i tillë ka rëndësi edhe për vetë artin, sepse ndodhet
në një situatë të vështirë, mbyllet gjithnjë më shumë në vetvete, në figura, që s’i
kupton askush, përveç atyre, të cilët janë mësuar me këtë tip gjuhe. Ja, pra, ndoshta
ky përbën një rast për të dialoguar, për të ribërë pyetjet e mëdha mbi njeriun, mbi
misterin e shenjave që e rrethojnë, domethënë mbi të mbinatyrshmen. Të mendojmë për
vlerat e simboleve, për kuptimin e tyre. Një artist i madh, një nga më të mëdhenjtë
e kohëve tona, Bill Viola, përmes video art. luan shumë me simbole, si uji, nga të
cilat bën të shpërthejnë mistere mahnitëse.
Imzot Ravazi, ç’duhet të bëjnë
komunikatorët e Kishës për t’i tërhequr të rinjtë tek Bibla e për ta bërë Shkrimin
Shenjt të kuptueshëm për atë, që ju e quajtët ‘gjuha e re’ e njerëzve të rinj?
Dëshiroj të propozoj tri rrugë. Rruga e parë është të kujtojmë se Bibla ka prirjen
të përdorë gjuhën simbolike. Krishti flet me shëmbëlltyra. 32 shëmbëlltyra që bëhen
72 e që konsiderohen edhe si metafora tejet të zhvilluara ose similituda. Prej këndej,
mund të rikthehemi tek gjuha e Biblës, ta propozojmë këtë gjuhë, duke vënë theksin
mbi simbolet e saj. I riu i sotëm është mësuar me një gjuhë pamore, si për shkak të
internetit, që e çon detyrimisht në këtë rrugë, ashtu edhe sepse televizioni tashmë
ka fituar hegjemoni absolute. Rruga e dytë: t’u tregojmë se në Bibël gjinden të gjitha
çështjet, të gjitha pyetjet, nga më të zakonshmet, tek më urgjentet. Në se na duhet
të zgjedhim një fragment, mjafton të kujtojmë Këngën e Këngëve, Librin e Jobit, Librin
e Koheletit e edhe Predikimin në mal. Solla katër shembuj, që shprehin situata krejt
të ndryshme: misterin e së keqes, lumturinë e gëzimin e dashurisë, ndjesinë e krizës
e mrekullinë e dhurimit e të jetës. Elementi i tretë: gjuha biblike është, në radhë
të parë, gjuhë e simboleve. Gjuhë që ka vijuar të shkruhet në shekuj, është përdorur
në përkthime (e këtu kujtoj rëndësinë e përkthimeve në gjuhën e të rinjve), por edhe
në artet figurative. E gjejmë në historinë e artit, në të gjitha format e saj; edhe
në historinë e kinemasë. Kam parasysh artin bashkëkohor. Le të mendojmë ç’do të thotë
ta shpjegosh Ungjillin e Mateut, duke përdorur edhe Pazolinin; Ungjillin sipas Mateut
të Pazolinit: kjo është një mënyrë, pa përmendur, pastaj, historinë e artit, që është
tejet e pasur. E në se dua të shpjegoj Zbulesën e Shën Gjonit, bah, mund të marr “Vulën
e Shtatë” të Bergman-it. Kështu të rinjtë do të mësohen të rifitojnë shijen e asaj
kulture, e cila merret vetëm në shkollë, e nganjëherë, as atje. Ja pra, këto janë
tri rrugët: rruga e simbolit, e temave dhe e gjuhës.