2009-09-21 16:27:47

Identiteti meshtarak vihet në provë nga shekullarizimi: kështu Papa në takimin vjetor për ipeshkvijtë e rinj


(21.09.2009 RV)RealAudioMP3 Identiteti meshtarak vihet në provë nga shekullarizimi në rritje. Kështu foli sot Papa Benedikti XVI në takimin vjetor për ipeshkvijtë, që kanë filluar prej pak kohe shërbimin e tyre pastoral, duke u kërkuar që t’i ndihmojnë më shumë meshtarët:
“Një nga detyrat themelore të ipeshkvijve është të ndihmojnë me shembullin e mbështetjen e tyre vëllazërore meshtarët, që ata të ndjekin me besnikëri thirrjen e tyre e të punojnë me entuziazëm e dashuri në vreshtin e Zotit”.
Misioni i meshtarit e edhe ai ipeshkvit, nënvizoi Papa, është bërë më i ndërlikuar në ditët e sotme. Ai përfshin një sërë punësh e impenjimesh, që mund ta largojnë presbiterin nga identiteti i tij si meshtar i Krishtit:
“Një identitet që fatkeqësisht, sot, vihet në provë nga shekullarizimi në rritje”.
Në këtë mënyrë, shpjegoi Papa, mund të arrihet deri aty sa të mungojë linfa, mbështetja në çastet e pasigurisë e të shkurajimit, burimi i paçmueshëm i entuziazmit misionar dhe i dashurisë vëllazërore për të gjithë. Benedikti XVI i këshillon meshtarët dhe ipeshkvijtë të rigjejnë sërish vetveten përmes lutjes. Të jesh në dispozicion të njerëzve, theksoi Papa, nuk do të thotë të mos jesh, ose të jesh më pak në dispozicion të Zotit:
“Kusht i domosdoshëm që meshtari të prodhojë fryte të mira është në fakt, që ai të mbetet i bashkuar me Zotin. Këtu qëndron sekreti i fekonditetit të shërbimit të tij: vetëm nëse është një gjë me Krishtin, hardhia e vërtetë bën fryte”.
Në qendër të jetës së meshtarit duhet të jetë pra, Eukaristia. Papa kujtoi se këtë vit e shpalli Vitin Meshtarak, në 150-vjetorin e vdekjes së Shën Gjon Marian Vianejt, për t’i nxitur të gjithë meshtarët të rinovohen shpirtërisht e ta dëshmojnë më shumë Ungjillin në botën e sotme, prandaj u tha ipeshkvijve:
“Mesha e Shenjtë është formuese në kuptimin më të thellë të termit, pasi nxit ngjashmërinë me Krishtin dhe përforcon thirrjen e meshtarit. Le të bëhet pra, kremtimi eukaristik dritë për krejt ditën tonë e atë të meshtarëve tuaj, duke lënë gjurmën e hirit dhe të fluksit të tij shpirtëror në çastet e trishtuara e të gëzuara, të shqetësuara ose të qeta, të veprimit ose të kundrimit”.
Imitimi i Jezu Krishtit, Bariut të Mirë, theksoi Papa Racinger, është për çdo meshtar rruga e detyrueshme për shenjtërimin e jetës së vet e kusht thelbësor për ushtrimin me përgjegjësi të shërbimit baritor. E nëse kjo vlen për meshtarët – përfundoi Benedikti XVI – aq më shumë vlen për ipeshkvijtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.