2009-09-18 11:19:40

Në Gjermani botohet vëllimi II i Opera Omnia-s të Benediktit XVI


(18.9.2009 RV)Në Gjermani doli nga shtypi vëllimi i dytë i Opera Omnia-s të Benediktit XVI. Vëllimi përmban tezën e doktoraturës së Jozef Racingerit kushtuar Shën Bonaventurës.
Kanë kaluar 50 vjet nga dita kur Papa Benedikti XVI pati shkruar tezën e tij të doktoraturës kushtuar Shën Bonaventurës. Më në fund ajo u botua e plotë pikërisht në vëllimin e dytë të Opera Omnia-s të Benediktit XVI.
Vepra që doli nga shtypi kohët e fundit nga botuesi Herder, iu paraqit Papës Racinger të dielën e kaluar në Kastel Gandolfo nga ipeshkvi i Regensburgut Imzot Gerhard Ludvig Myler, i cili promovoi këtë nismë së bashku me kujdesjen e Marianë Shloser.
“Doja që të ishte një botim historik, që teksti që është shkruar para shumë vitesh të transmetohej ashtu siç është, duke i dhënë mundësi veprimtarisë kërkimore që ta shfrytëzojë sot” – shkruan Papa në parathënien e kësaj vepre e cila trajton çështjen e Dëftimit të Zotit dhe të teologjisë të historisë të Gjonit të Fidancës, që më vonë do të bëhej i njohur me emrin Shën Bonaventura. Shën Bonaventura, françeskan dhe doktor i Kishës është përfaqësuesi më domethënës i rrymës agustiniane i teologjisë mesjetare.
“Detyra ime ishte, - kujton Benedikti XVI duke folur për kohën kur shkruante tezën e doktoraturës, - të përpiqesha të zbuloja sesi e kishte perceptuar Dëftimin e Zotit Shën Bonaventura. “Po, sepse, - vijon Papa Racinger, - nëse Dëftimi i Hyjit në teologjinë neoskolastike kuptohej kryesisht si transmetim hyjnor i mistereve që mbeten të padepërtueshme nga mendja e njeriut, sot Dëftimi i Hyjit quhet si një dëftim, si një shfaqje e Hyjit në një veprim historik dhe historia e shpëtimit shihet si element qendror i Dëftimit të Hyjit.”
“Një detyrë e vështirë” për t’u kryer nga Racingeri asokohe i ri, sepse vë në dukje vetë Papa, - fjala “Rivelatio” që do të thotë “Dëftim”, - është e përbashkët për teologjinë neoskolastike dhe për atë mesjetare dhe moderne, por nuk ka të njëjtin kuptim si në teologjinë mesjetare ashtu edhe në atë moderne. Këndej buron edhe nevoja për t’i lënë mënjanë për një çast konceptet që kemi ne sot, në mënyrë që të kuptojmë drejtë se çfarë kishte parasysh Shën Bonaventura me fjalën “rivelatio” - “Dëftim”.







All the contents on this site are copyrighted ©.