2009-09-18 11:31:45

Imzot Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës në pjesën e 3-të të intervistës flet për Vendet ish komuniste e zbulimin e identitetit të vërtetë dhe rindërtimin e vlerave sot.


(18.9.2009 RV)Imzot Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës në pjesën e 3-të të intervistës për Radio Vatikanit flet mbi vendet e ish-bllokut komunist në njërën anë përballë kulturës perëndimore e sfidave që paraqet demokracia dhe bota e globalizuar e në anën tjetër rizbulimi i rrënjëve e vlerave të tjetërsuara nga regjimi ateist komunist. RealAudioMP3

Imzot Ravazi, 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, vendet e ish-bllokut komunist janë para një sfide të re, rrezikut për të humbur identitetin e tyre, përballë kulturës perëndimore. Si mund t’i ndihmojë Kisha për ta shmangur këtë rrezik?
 
Përgjigje: - Kur ishin ende në këmbë regjimet komuniste, ose regjimet, që e shikonin fenë si rrezik, shpirti i popullit, edhe i njeriut, ziente përbrenda. Kisha kishte vetëdije kritike, kishte ndeshje, që nganjëherë ndodhnin edhe publikisht, kishte edhe raste persekutimi të mirëfilltë. Tani edhe në vendet, që më parë ishin nën regjime të tipit ateist, shikojmë të njëjtën situatë, që e përshkruam më lart, domethënë të gjitha vendet e Lindjes po i përshtaten ose i janë përshtatur kësaj forme të qëndrimit të përciptë, indiferent, karakteristik për perëndimin. Mitet e reja nuk janë mitet e fesë: janë mitet e publicitetit, mitet e televizionit, të konsumit, të kënaqësisë së menjëhershme. Në këtë pikë, këto bashkësi i kanë humbur dy herë rrënjët e tyre: një herë nën regjimin ateist, që ndalonte çdo lloj besimi në Zotin, e tani, kur kanë mundësi të rigjinden, këto rrënjë, në këtë atmosferë të re, po shkulen përsëri, sepse kjo atmosferë shlyen çdo përmasë të fortë, të mbinatyrshme. Mendoj se mund të jepen dy përgjigje.
Nga njëra anë Kishat duhet të kërkojnë me çdo mënyrë të nxisin impenjimin e besimtarëve të tyre në ato veprimtari, që tradicionalisht quhen realitetet e parafundme, dmth në impenjimin për bamirësinë, për të ndihmuar të afërmin, për të kontribuar në zhvillimin e shoqërisë e të kulturës; e gjithë kjo bën pjesë në historinë e njeriut, të shoqërisë. Mjafton të mendojmë për rolin e vullnetariatit, që është tejet i rëndësishëm në shumë shoqëri, sidomos në gjirin e Kishës. Po kjo nuk mjafton.
Duhet që Kishat të ketë guximin të propozojnë edhe realitetet e fundme. E kjo do të thotë të rikthehen tek kumtimi i tyre: në komunikimin e tyre, në mjetet e tyre të njohjes; do të thotë të ripropozojnë tema themelore, si jeta, vdekja, përtej-jeta, dhimbja, padrejtësia, drejtësia, e vërteta, e mira, e keqja e edhe Misteri i Zotit. Këto duhet të jenë udhët e Kishës, përmes të cilave duhet të përpiqet ta davarisë këtë mjegull, këtë zymti, këtë ateizëm praktik. Nga njëra anë, impenjimi ekzistencial, serioz, i vërtetë, i rreptë; nga ana tjetër, rikthimi tek temat e mëdha shpirtërore.....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.