Benedekti XVI takon kryeipeshkvin Hilarion, të Patriarkanës së Moskës
(18.9.2009 RV)Papa priti sot në Kastel Gandolfo kryeipeshkvin Hilarion, president
i Departamentit për Marrëdhëniet e Jashtme Kishtare të Patriarkanës së Moskës. Kryeipeshkvi
ortodoks Hilarion, në vizitën e tij të parë në Romë pas emërimit në detyrën e tij
aktuale, dje pati një bisedë me kardinalin Walter Kasper, presidenti i Këshillit
Papnor për Promovimin e Bashkimit të të Krishterëve. Pas këtij takimi, kardinali Kasper
ripohoi se ndërmjet Kishës katolike e Patriarkanës së Moskës marrëdhëniet janë pozitive.
Të dyja palët do të takohen përsëri në tetorin e ardhshëm në Qipro, me rastin e sesionit
plenar të Komisionit të përzier ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës
katolike e Kishës ortodokse në tërësinë e saj: në qendër të punimeve figuron tema
kyçe, ajo e rolit të ipeshkvit të Romës (Papës) në Kishës universale. Dje
pasdite Hilarion vizitoi Bashkësinë e Shën Egjidit e mori pjesë në lutje në Bazilikën
e Shën Marisë në Trastevere në Romë. Në mbarim të lutjes, kryeipeshkvi ortodoks foli
mbi nevojën e dëshmisë së përbashkët të të krishterëve “në një botë të shkristianizuar,
në një epokë - tha Hilarion - që dikush gabimisht e përcaktoi si post-kristiane. Shoqëria
bashkëkohore me konsumizmin e vet, hedonizmin, materializmin praktik, relativizmin
moral - vijoi ai - paraqet para të gjithë të krishterëve një sfidë serioze e të vështirë.
Nga përgjigja që të krishterët i japin kësaj sfide, varët edhe e ardhmja e njerëzimit
e ndoshta edhe mundësia që jeta të vazhdojë në planetin tonë. Është një sfidë e përbashkët
që na është bërë e edhe përgjigja duhet të jetë e përbashkët”.